Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj bisedoi dje në mbrëmje me gazetarin Sokol Balla në TopStory.
Ministri Xhafaj pranoi për herë të parë se segmente të policisë së shtetit kanë ndihmuar në kanabizimin e vendit. Deklarata e tij hedh poshtë pretendimet e ish-ministrit Tahiri dhe Kryeministrit Rama se akuzat për kanabizimin e vendit dhe rritjen e sipërfaqeve të mbjella janë vetëm shpifje të opozitës.
Disa nga deklaratat kryesore të Zotit Xhafaj janë:
Për luftën ndaj kanabisit:
- Segmente ose individë të veçantë të policisë së shtetit, kanë qenë të lidhura me kultivimin dhe trafikun e hashashit, ose janë paguar për heshtjen e tyre, ose kanë bashkëpunuar. Mendoj se disa nga drejtuesit e policive vendore, minimalisht kanë heshtur për këtë gjë.
- Është e pamundur që atje ku mbillet kanabis të mos e shohë polici i zonës, polici i pyjores apo dhe kryeplaku me banorët.
- Një pjesë e ndryshimeve [në policinë e shtetit] është lidhur edhe me nevojën e luftës kundër kanabisit.
- Për shkak të goditjes së Lazaratit, patëm një rigjallërim të strukturave të grupeve të tjera kriminale në territor, për të zëvendësuar këtë veprimtari.
Për protestën e 13 majit dhe zgjedhjet e 18 qershorit:
- Kemi dëgjuar deklarimin e zotit Basha që protesta do të jetë paqësore. Uroj që të jetë e titllë. Nëse do të ketë akte dhune policia do të reagojë ashpër. Policia do të ndërhyjë fort nëse protesta e thërritur si paqësore do të përdoret për të destabilizuar vendin.
- Nuk ka asnjë skenar që nuk përballohet nga Policia e Shtetit. Policia ka gjithë kapacitetet e nevojshme, gjithë përgjegjësitë që të garantojë një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm në Shqipëri.