Më 25 mars, ministri i ri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj pati një takim ish-drejtorin e FBI Louis Freeh. Në njoftimin për shtyp të Ministrisë, në lidhje me takimin shkruhej:
Ministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj, sot në ditën e parë të punës, zhvilloi një takim në zyrën e tij me z. Louis Freeh, një nga ekspertët më të njohur ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar dhe çështjeve të drejtësisë, ish-Drejtor i FBI-së.
Zoti Freeh uroj ministrin Xhafaj për emërimin në detyrë, si dhe ofroi mbështetjen maksimale të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe FBI-së për forcimin e luftës kundër krimit dhe paligjshmërisë në vend.
Për fat të keq për ministrin Xhafaj, Zoti Freeh nuk është në pozitën e duhur për të premtuar diçka të tillë, pasi ai vizitoi Shqipërinë si qytetar i thjeshtë dhe jo si funksionar i FBI-së.
Në një intervistë për gazetën Panorama, Zoti Freeh shpjegoi se ka ardhur në Shqipëri veçanërisht për tu takuar me 3 000 muxhahedinët e strehuar gjatë viteve të fundit në Shqipëri me kërkesë të SHBA-ve.
I pyetur nga gazetarja Suela Xhonuzi nëse ai ka pasur ndonjë kontakt me zyrtarë shqiptarë apo me Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, Zoti Freeh u përgjigj:
Unë nuk kam pasur ndonjë kontakt me Ambasadën Amerikane në Tiranë. Kam takuar disa nga zyrtarët e zgjedhur në Shqipëri dhe kjo për t’i falenderuar për humanizmin, mbështetjen, për mundësinë e lirisë që u kanë dhënë miqve të mi të MEK. Megjithatë unë nuk di shumë për situatën politike këtu.
Nga intervista e Zotit Freeh del qartë se ministri Xhafaj, në ditën e parë të punës, shfrytëzoi mundësinë për të keqinformuar qytetarët nëpërmjet departamentit të tij të marrëdhënieve me publikun.