Ministria e Arsimit ka vendosur uljen e kufirit minimal të pikëve për çdo lëndë. Lajmin e dha Ministrja e Arsimit Evis Kushi në një video mesazh drejtuar maturantëve, të henen.
Kushi sqaroi se pas ankesave të maturantëve grupet e punës në ministri kanë vlerësuar vështirësinë e testit dhe përputhshmërinë me programin.
Ajo sqaroi se vendimi u morr pavarësisht se “maturantët në të gjithë vendin kanë qenë çdo ditë në mësim në shkollë, përveç 10 bashkive me risk të lartë ku për 6 javë mësimi u zhvillua online”.
Kushi njoftoi se do të nisë identifikimi i problematikave, rishikimi i procesit DHE hartimi i akteve të reja ligjore të procesit të Maturës nga ministria.
Maturantët të premten protestuan për nivelin e vështirësisë së provimit të matematikës për maturën 2020-2021. Ata u shprehën se mësimi nuk u zhvillua si në kohë normale, të parapandemisë, dhe provimi ishte më i vështirë se programi.