Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj reagoi sot për lirimin nga burgu të Endrit Dokles, i cili ishte i dënuar përjetë. Në reagimin e saj ajo tha se kishte shkarkuar drejtorin e Shërbimit të Provës në Krujë dhe se kishte kërkuar shkarkim dhe hetim të gjyqtares Enkeleda Hoxha, e cila dha vendimin.
Në një deklaratë për shtyp Ministrja Gjonaj nënkuptoi se veprimet e bëra nga gjyqtarja vinin për faktin se ajo e dinte se nuk do ta kalonte vetingun. Për këtë Ministrja propagandoi se nevojitet miratimi i paketës anti-KÇK.
“Lirimi i të dënuarve me burgim të përjetshëm, kambanë alarmi. Lirimi i Dokles, vendim skandaloz i gjyqtares Enkeleda Hoxha. Për gjyqtaren Enkeleda Hoxha i jemi drejtuar KLGJ-së që në janar 2018. Enkeleda Hoxha ka liruar edhe Genc Tafilin. Më 15 janar kërkova shkarkim e saj. I jam drejtuar Prokurorisë të nisë hetimet [për gjyqtaren Hoxha]. Janë marrë masa administrative, urdhërova shkarkimin e drejtorit të Shërbimit të Provës Krujë. Kuvendi shpresoj të miratojë me urgjencë paketën anti-KÇK. Disa gjyqtarë e dinë që s’do kalojnë Vetting-un dhe veprojnë për interesa personale.”
Ish-anëtari i Bandës së Durrësit, Endrit Dokle u lirua me kusht më 14 janar. Gjyqtarja Enkeleda Hoxha pranoi kërkesën për kthim të dënimit nga i përjetshëm në burg me 25 vite, dhe vendosi ta lironte me kusht pasi kishte kryer ¾-ën e dënimit dhe kishte siguruar kontratë pune në një firmë ndërtimi. Prokuroria e Krujës ankimoi vendimin.