Ministria e Financave anulon dhënien me qira të Syrit të Kaltër

Nga Erblin Vukaj
Ministria e Financave anulon dhënien me qira të Syrit të Kaltër

Në 3 muajt e fundit Ministria e Financave bëri 3 shpallje për të dhënë për 10 vjet me 600 euro qira 470 metra katrorë në zonën e Syrit të Kaltër në Delvinë. Procedurat u bënë larg vëmendjes së publikut dhe pa u konsultuar me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura apo Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit.

Pas ndërgjegjësimit të opinionit publik, Top-Channel raportoi se Ministria i anuloi procedurat me argumentimin zyrtar “moskoordinim të institucioneve”. Rasti është i ngjashëm me 2,500 metrat katrorë, që u njoftuan në gusht se do të jepeshin me qira në Drilon të Pogradecit dhe për të cilën ende nuk dihet asgjë se çfarë u bë me të.

Në tre njoftime të ndryshme, dy në korrik dhe një në tetor, Ministria e Financave, e cila zotëron Albsturist Tour-Operator shashoqërinë pronare e pasurisë prej 470 metrave katrorë –, kishte shpallur nisjen e procedurave, të cilat nuk kanë qenë transparente. Rasti tregon se kjo Ministri nuk bashkëvepron me institucionet e tjera për mirë-menaxhim të aseteve publike.

Mungesa e konsultimeve

Agjencia e Zonave të Mbrojtura konfirmoi për Abc News se nuk kishte pasur konsultime me të nga Ministria e Financave. I pyetur nga Gazeta Tema, Minstri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi ka thënë se “nuk ishte në dijeni të procedurës në Syrin e Kaltër” dhe se sipas tij “mund të jetë një anomali e institucioneve”. Ministri Klosi në fillim të muajit tetor kishte deklaraur se mënyra e menaxhimit të Syrit të Kaltër ishte e ngjashme me “gangrenat e tjera të turizmit Shqipërisë” dhe për të cilën ai shpresonte që me buxhetin e vitit të ardhshëm të investohej për ndryshimin e situatës.

Procedura e dhënies me qira në Syrin e Kaltër

Fillimi i procedurave për dhënien me qira të 470 metrave katrorë në Syrin e Kaltër u bë më 9 korrik pas urdhrit të Ministres së Financave Anila Denaj. Prej korrikut, sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimeve Publike, rezulton të jenë shpallur tre herë datë për pranimin e ofertave: 25 korrik, 10 shtator dhe 30 tetor. Ministria nuk ka dhënë detaje për asnjë nga shtytjet e këtyre datave, apo të rezultatit që ka patur shpallja e fundit.

Çfarë jepej me qira

Nga njoftimet e Ministrisë së Financave, thuhet se 470 metrat katrorë janë 5 kabina druri në pasurinë nr. 652/1 të zonës kadestrale 2758. Exit.al shqyrtoi hartat. Me të dhënat “652/1; 2758” nuk përkon ndonjë parcelë e zbardhur, por parcela 652 është më e madhja dhe përfshin të paktën dy-tre ndërtesa të dallueshme qartë. (Kliko këtu për të parë hartën).

Ku ndodhet, kush e administron dhe çfarë parashikon ligji

Syri i Kaltër në Muzinë të Delvinës, ka sipërfaqe prej rreth 180 hektarësh dhe prej vitit 1996 klasifikohet Monument Natyror me shkallë të III-të të nivelit të mbrojtjes. Me këtë nivel mbrojtjeje “ruajtja e natyrës dhe biodiversitetit” bëhet “në harmoni me zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike e turistike”.

Pra në këtë zonë ndërtimet nuk janë krejtësisht të ndaluara, por çdo ndërhyrje duhet të bëhet në konsultim me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit, të cilat administrojnë Syrin e Kaltër.

Albturisti Tour-Operator është kompania shtetërore që administron asetet e hotelerisë së trashëguara prej periudhës së komunizmit. Një nga këto asete është dhe prona prej 470 metrash katrorë në Syrin e Kaltër. Prej vitit 1956 quhej thjesht Albturist. Pas rrëzimit të regjimit shoqëria falimentoi. Disa asete të saj u privatizuan, ndërsa kompania u ristrukturua pas vitit 2001 duke u quajtur Albturisti Tour-Operator. Ajo është nën varësinë e Ministrisë së Financave, e cila ka vendosur t’i lëshojë disa prej pronave me qira.

Ndërtimet pa leje dhe aksionet e qeverisë

Pamjet satelitore ndër vite tregojnë se pas vitit 2012 në Syrin e Kaltër ka pasur ndërtime të shumta. Në vitin 2017 deputeti Ralf Gjoni rrëfeu se ishte kërcënuar nga pronari i një prej restoranteve të zonës vetëm se ishte ankuar për kushtet dhe mënyrën se si administrohej prona. Denoncime të tjera u pasqyruan edhe nga qytetarë në media.

Në vitin 2018 Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit prishi atje 16 ndërtime pa leje, kryesisht lokale dhe restorante. Inertet e këtyre ndërhyrjeve u hoqën në prill të vitit 2019. Gjithsesi zona vazhdoi të kishte lokale dhe restorante. Një kërkim i thjeshtë në rrjetet sociale mund të nxjerrë me dhjetëra postime të kësaj vere në ambiente të ndryshme.

Ndërhyrjet e bëra në Syrin e Kaltër prej vitit 2013 deri më sot.

Qiradhëniet jotransparente dhe të dyshimta

Në gusht Ministria e Financave urdhëroi dhënien për 10 vjet me 1,400 euro qira të 2,500 metrave katrorë pronë të Albturist Tour-Operator në Drilon të Pogradecit. Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik, konkurrimi u bë më 9 shtator, por asnjë njoftim tjetër nuk pati në buletinet e mëvonshme apo nga vetë Ministria.

Procedura e qiradhënies së kësaj pasurie binte ndesh me një projekt tejet ambicioz zhvillimi të punuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Pjesa prej 2,500 metrash katrore ka qenë në diskutim prej vitesh në çështje të vazhdueshme gjyqësore, por sidoqoftë ishte dhënë edhe në të shkuarën me qira. Aktualisht, në muajin nëntor, ende nuk dihet nëse u pranuarn oferta, a pati fitues, apo Ministria u tërhoq nga kjo nismë, duke qenë se zona e Drilon-Tushemishtit është shpallur “zonë e rëndësisë kombëtare” dhe nga AADF janë vazhduar konsultimet për projektin zhvillimor.

Mënyra se si është administruar Driloni është shembulli më i keq i zonave turistike në Shqipëri. Qiradhëniet pjesore prej Ministrisë së Financave duket se nuk kanë qenë të konsultuara me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit. Mungesa e kontrolleve të vazhdueshme të institucioneve – të mirë-organizuara këto me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura – ka bërë që bizneset të ndërtojnë lehtësisht atje dhe ta kthejnë Drilonin në restorant dhe merkatë peshku më shumë se sa një park natyror.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>