Ministria e Infrastrukturës hap 2 tendera të rinj për tunelin e Llogarasë

Ministria e Infrastrukturës hap 2 tendera të rinj për tunelin e Llogarasë

Ministria e Infrastrukturës ka hapur dy tendera të rinj në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Tendri i parë, i hapur më 12 qershor, kërkon të zgjedhë një kompani që do të ofrojë konsulencë për “rishikimin e studimit të fizibilitetit dhe hartimi i projektit të detajuar inxhinierik”. Kostoja tavan e tenderit është caktuar 500 mijë euro.

Në shtator 2020, qeveria shqiptare kontraktoi me tender një konsorcium kompanish—iC Consulenten Ziviltechniker, ELEA iC, IBE, SEED Consulting shpk dhe InfraKonsult shpk—për të realizuar projektimin e tunelit të llogarasë. Vlera e kontratës ishte 1,3 milionë euro.

Është e paqartë pse qeveria ka vendosur të japë gati 40 për qind të shumës së hartimit të vetë projektit për të rishikuar cilësinë e projektit.

Tenderi i dytë u hap më 22 qershor me objekt ndërtimin e tunelit të Llogarasë, me kosto tavan prej 19 miliardë lekë (afërsisht 156 milionë euro).

Qeveria e kishte tenderuar një herë më parë këtë shërbim—më 14 dhjetor 2020 qeveria hapi tenderin per ndërtimin e tunelit me të njejtën vlerë si tani.

Vetë qeveria nuk bëri transparencë në lidhje me tenderin, por mediat raportuan se në të u paraqitën 6 oferta, më e ulta e të cilave nga Gjoka Konstruksion—kompania që po ndërton me kocnesion Rrugën e Arbrit.

Nuk dihet pse nuk u përzgjodh asnjë nga ofertat, çfarë e ka detyruar qeverinë që të rihapë edhe një herë procedurën e tenderimit.

Tuneli 6 kilometra i gjatë pritet që të shkurtojë aksin Orikum – Palasë në vetëm 10 minuta rrugë. Qytetarët do të paguajnë një tarifë fikse për të kaluar në tunel.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>