
Ministria e Jashtme ka njoftuar paraditen e së premtes, se pala greke ka shtuar personelin mjekësor në pikën kufitare të Kakavijës, ku prej 3 ditësh mijëra emigrantë shqiptarë po presin të kalojnë.
Sipas njoftimit të ministrisë ‘pala greke ka njoftuar se do të marrë masa të tjera për lehtësimin e situatës deri në heqjen e detyrimit për bërjen e testit.’
Po ashtu, ministria sqaroi qytetarët se ‘mund ta kryejnë testin edhe në institucionet e licencuara shqiptare dhe ta përkthejnë përgjigjen në anglisht’, pork jo zgjidhje duket e pamundur për ata qytetarë që tashmë janë në radhë pritjeje në kufi.
Shkak për radhën e madhe në Kakavijë është bërë testimi i detyrueshëm për këdo që kalon kufirin dhe mbyllja e sporteleve të palës greke nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në orë 06:00 të mëngjesit.
Deri para pak orësh personeli mjekësor që bënte tamponet ishte shumë i kufizuar duke rritur kohën e pritjes për emigrantët.
Temperaturat e larta dhe radha kilometrike kanë bërë që shumë prej emigrantëve të kenë probleme shëndetësore. Madje dy të moshuar në pritje për të kaluar kufirin janë nisur drejt spitalit për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.