Duket se qeveria po i hap rrugë prishjes së Teatrit Kombëtar. Ministria e Kulturës ka urdhëruar heqjen e materialeve nga ambientet e teatrit.
Mbrëmjen e djeshme dhe sot janë vë re punëtorë që po nxjerrin materialet nga ambientet e Teatrit Kombëtar, një nga dy godinat e kompleksit teatror.
Më herët, më 3 qershor, u publikua në Fletoren Zyrtare Vendimi i Këshillit të Ministrave që autorizon ngritjen e komisionit për negocimin e kontratës me kompaninë private. Ky vendim është miratuar më 4 prill 2019 në Këshillin e Ministrave, por nuk është publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, siç është vepruar me vendimet e tjera të marrë atë ditë.
Ky vendim është hapi i parë konkret për prishjen e teatrit dhe nisjes së ndërtimit të teatrit të ri dhe gjashtë kullave rreth tij, siç e parashikon “ligji special” për teatrin.
Sipas VKM-së së miratuar, së shpejti duhet të publikohet thirrja për projekte në lidhje me zhvillimin e zonës. Siç Exit.al ka raportuar më parë, ka shumë mundësi që arkitekti Bjarke Ingels të jetë tërhequr nga ky projekt.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila së bashku me qytetarë e artistë, ka protestuar kundër shembjes së teatrit prej 18 muajsh, është shprehur e vendosur se “do të mbrojë deri në fund teatrin, duke u përballur qoftë dhe fizikisht”.