Ministria ia kalon monumentet e rëndësishme të kulturës Bashkisë Tiranë

Nga Exit News
Ministria ia kalon monumentet e rëndësishme të kulturës Bashkisë Tiranë

Rreth 12 orë pasi vila Sarajet u dogj qëllimisht nga persona ende të paidentifikuar, ka ardhur edhe reagimi i Ministres së Kulturës Elva Margariti.

Nëpërmjet Facebook, ministrja njofton se institucionet në varësi të saj kanë kallëzuar rastin në polici dhe mbështet nismën e kryebashkiakut Veliaj për ta shndërruar godinën në muze.

Vila Sarajet është monument kulture i kategorisë së parë, pra nga më të rëndësishmit në vend dhe pavarësisht se iu është kthyer ish-pronarëve ajo mbrohet dhe nuk lejohet të shembet ose tjetërsohet. Për këtë është përgjegjëse Ministria e Kulturës.

Por ministria duket se ia ka kaluar Bashkisë Tiranë monumentet e rëndësishme të kulturës në kryeqytet dhe është vazhdimisht mbështetëse e saj në planet që prekin këto godina.

Kalimi i truallit të Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës ishte një nga këto raste, i cili u shpall edhe anti-kushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë ministria dukej e vendosur të hiqte dorë nga ky truall dhe para disa javësh qeveria vendosi t’ja kalojë atë sërish Bashkisë duke qenë se kjo e fundit kishte një plan për të zhvilluar Teatrin Kombëtar.

Për vilën Sarajet dhe për planet e kthimit të saj në muze gjithashtu ka folur gjithmonë Veliaj pavarësisht se monumenti është përgjegjësi e ministrisë.

Kryebashkiaku i Tiranës ishte i pari që riktheksoi edhe njëherë sot që vila do të shpronësohet dhe do të kthehet në muze.

Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj sëbashku me një ndërtues kanë planifikuar që në truallin e ndërtesës Sarajet, të ngrejë një kullë rreth 45 kate të lartë, një koncept, idenë e së cilës e ka parë Exit News.

Me gjasa, skema që do të përdoret është ajo që Rama dhe Veliaj po përdorin kudo: do ia japin tokën publike oligarkut, me marrëveshje që katet e para të jenë muze në pronësi të bashkisë, ndërkohë që zhvilluesi do të gëzojë të gjithë pjesën tjetër.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>