Ministrit Lleshaj i thyejnë një tjetër perimetër sigurie

Nga Arjan Balla
Ministrit Lleshaj i thyejnë një tjetër perimetër sigurie

Ministrit Lleshaj sot i thyen edhe një tjetër perimetër sigurie– atë të Aeroportit të Rinasit– pas thyerjeve pa pushim të kordonit të përkorë të policisë gjatë protestave të dhunshme të opozitës.

Siç pritej, me rastin e afrimit të zgjedhjeve, grabitësit e zakonshëm të vendit arritën të grabisin rreth 10 milionë euro, në mes të ditës, në zonën më të mbrojtur të Shqipërisë: në pistën e Aeroportit Nënë Tereza.

Rrugës për në aeroport grabitësit u ndien të dyzuar nëse ishte apo jo një shaka me tepër kripë ajo për të përdorur mbishkrimin “Hetimi Tatimor” në makinën e tyre. Njëri prej tyre i davariti dyshimet kur tha: “Do bëjmë shtet!”. Qeshën.

Pasi theu dhunshëm perimetrin e sigurisë së aeroportit, makina me grabitësit– ç’është e vërteta disi në ankth se mos po humbisnin avionin– arriti ta kapë atë në kohë. Ata e parkuan makinën ngjitur me avionin, në barkun e të cilit oficerët e policisë private kishin nisur të fusnin disa milionë euro. Grabitësit pritën gjersa transportimi i parave të përfundonte. Më pas ata dolën, i futën thasët në makinën e tyre, mbyllën bagazhin e avionit dhe i bënë shenjë pilotit të nisej për në Vjenë.

Gjatë kthimit në shtëpi përmes një rruge dytësore, grabitësit u gjendën ngushtë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Një makinë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Fare (FNSF) po vinte ngadalë përballë, mirëpo rruga e ngushtë nuk mundësonte kalimin e të dy fugonave. Jo hape ti rrugën, jo e hap unë, plasi kallashi. Policëve nuk u mbajtën nervat, pasi kishin gjithë ditën në shërbim, që në 6 të mëngjesit, te Bregu i Lumit, dhe thjesht po ktheheshin për patrullën e zakonshme të pasdrekës. Një polic u nxeh kur nuk arriti të gjente asnjë bombë me gaz lotsjellës në makinë. Sipas porosisë, i kishin përdorur të gjitha te Bregu i Lumit.

Me të marrë lajmin, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj thirri një mbledhje urgjente në Shkodër me krerët e policisë së shtetit. Rrugës për atje shkarkoi kreun e sapoemëruar të policisë së qytetit.

Në njoftimin për ngjarjen, policia shfrytëzoi rastin të sqaronte edhe njëherë se, pas goditjes me kokë të pësuar mbi makinën e saj nga kalimtari dhe pas thyerjes së perimetrit të xhamit, gazetarja i ishte vetëvënë në dispozicion forcave të policisë dhe ishte vetëshpallur e gatshme që pak minuta nga jeta e saj të vetëflijoheshin për hir të procedurave rutinë në komisariat.

Policia u bëri thirrje grabitësve të vetëidentifikoheshin dhe premtoi se secili do të shoqërohej në komisariat minimumi nga një drejtor policie rrethi, në rast se negociatat dilnin me sukses.

Vetë ministri Lleshaj bëri fillimisht një thirrje me telefon, private, ku pyeti Voltana Ademin ça kishte bërë për drekë. Sërish nga Shkodra, ministri bëri edhe një tjetër thirrje, këtë herë publike. Ai sqaroi qytetarët shqiptarë se të tilla ngjarje ishin të pashmangshme deri në ndërtimin e Aeroportit të Kukësit, si dhe i ftoi ata të vazhdonin bashkëpunimin me policinë dhe të denonconin çdo rast të dyshimtë.

“Jemi të fokusuar ekskluzivisht te parandalimi i krimit, që mundëson nivelin më të lartë të sigurisë, – u shpreh Lleshaj, – por, kuptohet, nuk është e thjeshtë.  Për këtë nuk mjaftojnë disa mandate. E rëndësishme është që ju të ndiheni të sigurt. Kryeministri e ka gjithë vëmendjen për ju dhe unë prandaj erdha! Ça të them unë tani!”

Ndërkohë që ndodhte ngjarja, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, sikur të kish marrë nga ditët tona, vuri një stol në park, restauroi edhe njëherë shkollën “Kosova”, fitoi kalimthi një çmim ndërkombëtar për të cilin qe shumë i lumtur, restauroi shkollën “Servete Maçi”, bashkëbisedoi në Kryeministri me studentë e pedagogë të Universitetit Bujqësor për të sqaruar ecurinë e Paktit të Universitetit dhe u shfaq në një intervistë disaorëshe në Top Channel. Të gjitha live.

 

Ky është një artikull relativisht satirik dhe i trilluar, përveç paragrafit të fundit, që është krejtësisht i vërtetë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>