Ministrja Denaj: Kërkesat e klubeve të futbollit për sponsorizim, të papranueshme

Nga Exit News
Ministrja Denaj: Kërkesat e klubeve të futbollit për sponsorizim, të papranueshme

Ministrja e Financave Anila Denaj i ka quajtur, të martën, të papranueshme kërkesat e klubeve të futbollit, të cilat kanë paralajmëruar se nuk do të nisin kampionatin nëse qeveria nuk rishikon ligjin për sportin dhe sponsorizimet.

Sipas Denajt, kërkesat e klubeve nuk mund të pranohen nga qeveria, veçanërisht në mesin e pandemisë:

“Futbolli nuk mund të jetë një element pengu dhe shantazhi për qeverinë. Sigurisht, kërkesat për të sponsorizuar këtë fushë janë të rëndësishme, por a mund të jenë automatike dhe në këtë masë? Kjo, jo në një vit ku ne po kursejmë çdo qindarkë për të adresuar nevojat e buxhetit në kohë pandemie, por nuk e kemi pranuar as vitin e kaluar.”

Denaj tha se qeveria ka miratuar dy nisma nxitëse për sponsorizimet në sport, ndaj klubet sportive duhet të mjaftohen me to.

Nismat e miratuara nga qeveria janë:

  • Për çdo kompani me tatim fitimi mbi 100 milionë lekë dhe që sponsorizon një ekip me mbi 5 për qind, i njihet trefish i kësaj vlere si shpenzim të zbritshëm.
  • U rrit nga 3 në 5 për qind e xhiros, shuma e lejuar si shpenzim i zbritshëm për të gjithë sponsorizimet, për të gjitha bizneset.

Disa ditë më parë, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar përmes një vendimi qarkullues kërkesën e Ligës Profesioniste të Futbollit për shtyrjen e kampionatit 2020/2021 për një afat të pacaktuar.

Anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit i kanë dërguar qeverisë kërkesat e tyre nëpërmjet letrës dërguar më datë 10 gusht.

Ata i kërkuan qeverisë uljen e TVSH në 6%, faljen e gjobave dhe detyrimeve të prapambetura tatimore; mos pagimin e TVSH -së për të ardhurat e sportistëve dhe miratimin e ligjit të sponsorizimeve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>