Ministrja e Arsimit Besa Shahini vazhdon të sulmojë pedagogët të cilët kritikuan testin e maturës së Gjuhë-Letërsisë.
Në një postim në Facebook, Shahini i quan pedagogët frikaçak që nuk duan të përballen me ndryshimin, duke i kujtuar se “nuk mjafton vetëm të dish se kur dhe ku ka lindur Naim Frashëri apo çfarë simbolizon ai dhe veprat e tij për kombin tonë”.
“Duhet të zotërosh gjithashtu edhe aftësinë të komentosh mbi veprat e Frashërit përmes eseve të mirë-argumentuara, si dhe të njohësh dallimin mes esesë argumentuese dhe asaj përshkruese”, shtoi Shahin në Facebook.
Ministrja i kujton pedagogëve se “nuk mjafton ta konsumosh letërsinë në mënyrë pasive dhe të vlerësohesh sipas saktësisë së identifikimit të personazheve apo riprodhimit përmendësh të elementëve kryesorë të veprës, por nevojitet lexim aktiv që rrit kuptueshmërinë”.
“Kjo frikë i nxjerr ata nga vetja dhe i çon nëpër debate televizive për të bërë edhe luftën e tyre të fundit kundër të pashmangshmit modernizim, i cili ka filluar tashmë në arsimin parauniversitar, por që nuk po arrin të dëpërtojë në arsimin e lartë”, shkruan Shahini në Facebook.
Shahini nuk e sheh problemin tek hartimi testit, por tëk mësimëdhënie në Universitete:
“Hendeku mes arsimit parauniversitar dhe atij universitar po shkon duke u zgjeruar, sepse reforma kurrikulare shkollore, me gjithë sfidat që ka në zbatim, po e çon arsimin drejt aftësimit të nxënësve për punë apo për jetë [..]. Ndërkohë, pedagogët e universitetit po refuzojnë kokëfortësisht ta ndjekin këtë trend”.
Ministrja sulmon edhe një pedagoge që e ka kritikuar testin në televizor, duke i thënë se:
“Ajo (besoj) nuk e kuptonte në ato momente sa fliste që shumica e maturantëve i janë përgjigjur saktë shumicës së pyetjeve në test, që do të thotë se janë më të përgatitur se studentët e saj që do të bëhen mësuesit e ardhshëm. Këta maturantë, ndërkohë, do të bëhen studentët e saj dhe do t’i kërkojnë mësimdhënie që ndërton aftësi të aplikimit të njohurive dhe jo vetëm memorizim pasiv të fakteve. E thënë ndryshe, ky është presioni që pedagogët po e ndjejnë: të ndryshojnë metodat e tyre të punës në dobi të së ardhmes së studentëve të tyre”.
Ajo gjithashtu, në fund të postimit i këshillon pedagogët, që pasi “nxorrën energjinë negative, tani të mund të ulen dhe të reflektojnë për punën që po bëjnë në universitet dhe reformën e pashmangshme që duhet të zbatojnë para se studentët t’iu japin verdiktin “të tejkaluar””.