Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj përballë Kushtetutës

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj përballë Kushtetutës

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj deklaroi dje në mbrëmje se presidenti Meta nuk ka interpretuar në mënyrë të qëndrueshme Kushtetutën në të paktën dy raste: për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese  dhe për aktin e betimit të anëtarëve para presidentit. Më poshtë Exit.al sjell deklaratat e Gjonajt përballë parashikimeve të Kushtetutës.

Për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

E ftuar në emisionin ‘Real Story’, ministrja Gjonaj tha se nëse presidenti Meta ‘do t’i mbahej në mënyrë konsistente qëndrimit të tij, që radha për të është kohë, pra është procedurë dhe jo e drejtë substanciale ose përgjegjësi kushtetuese, do të duhej që të mos të kishte njohur dy dekretet e parlamentit sepse nuk është respektuar radha. Do thoshte po për njërin vendim të parlamentit do bëj dekretimin dhe për tjetrin unë nuk e njoh për shkak se nuk është respektuar radha.”

Ministrja Gjonaj tha se Kushtetuta është mjaft e qartë për sa i përket emërimit të anëtarëve në GjK dhe nuk parashikon radhë për emërimin e anëtarëve – një herë Presidenti, një herë Parlamenti, një herë Gjykata e Lartë, por vetëm tregon se cili institucion ka tagrin për të bërë emërimin:

 “Unë mendoj që neni 179 paragrafi i dytë i Kushtetutës është mjaft i qartë dhe ka të bëjë vetëm me parimin e rotacionit. 

Radha e përcaktuar në Kushtetutë ka të bëjë vetëm me faktin se kush është organi i emërtesës që zgjedh anëtarin në vakancën e shpallur. Dhe nuk është koha njëherë presidenti, njëherë parlamenti dhe njëherë Gjykata e Lartë.”

Neni 179, pika 2 e Kushtetutës e thotë qartësisht radhën që duhet ndjekur për emërimin e anëtarëve të GjK-së:

“Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”

Për betimin e anëtarëve të rinj të GjK-së para presidentit

Ministrja Gjonaj kundërshtoi presidentin Meta dhe Kushtetutën dhe për sa i përket betimit të anëtarëve të sapoemëruar para presidentit.

Gjonaj u shpreh se ‘betimi është një akt formal, solemn, nuk mundet që një akt solemn e formal të bllokojë procesin.’

Megjithatë Kushtetuta është mjaft e qartë për vendin se ku betohen anëtarët e rinj të GJK. Neni 129 i Kushtetutës parashikon:

 “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.”

Ky parashikim kushtetues përforcohet edhe nga ligji Për Gjykatën Kushtetuese, i cili në nenin 8 të tij parashikon:

“Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës së Shqipërisë.”

Këto vendime të presidentit, të cilat ministrja Gjonaj i quajti ‘pengesa nga ana e presidentit’, ajo tha se do të përfshihen në hetimin e Komisionit parlamentar për shkarkimin e Metës:

“Të gjitha këto shkelje që Presidenti ka bërë lidhur me emërimin në Gjykatën Kushtetuese, të përfshihet në Komisionin Hetimor. Me një vendim të Kuvendit kjo mund të përfshihet në Komisionin Hetimor.

Parlamenti mund të marrë një vendim shkarkimi. Por Presidenti ka funksionet deri në vendimin final që e jep Gjykata Kushtetuese. Por presidenti deligjitimohet në momentin që shkarkohet nga Kuvendi.”

Sërish ministrja Gjonaj tregon se nuk ka njohuri të sakta për Kushtetutën. Në nenin 131, pika dh, tregohet qartë se është Gjykata Kushtetuese organi që vendos për shkarkimin e presidentit. Ndërsa termi ‘deligjitimim i presindentit’ nuk parashikohet në Kushtetutë, por është përdorur në mënyrë politike nga Zonja Gjonaj.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>