Ministrja e Financave, Anila Denaj mori pjesë të mërkurën në Samitin e përvitshëm të vendeve të Ballkanit Perendimor, që mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit.
Në një panel të veçantë ku morën pjesë ministrat e Ekonomisë të rajonit, u diskutua mbi temat: “Sfidat dhe perspektivat e tregut të përbashkët rajonal” dhe “Rëndësia e integrimit ekonomik brenda rajonit dhe Bashkimit Europian, në kontekstin e rimëkëmbjes ekonomike”.
Sipas zyrës së shtypit të Denaj, cituar nga Shqiptarja.com, ministrja foli për angazhimin e Shqipërisë në zbatimin e Planit të Veprimit për një Treg të Përbashkët Rajonal dhe katër liritë evropiane të lëvizjes së njerëzve, të mirave, shërbimeve dhe kapitalit.
Një angazhim i njëjtë u theksua nga kryeminstri Rama edhe në takimin e para pak ditëve me udhëheqësit Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, në kuadër të Minishengenit Ballkanik.
Ajo foli për arritjet e Korridorit të Gjelbër, nismë e vitit të kaluar për lehtësimin e transportit të mallrave dhe paisjeve mjekesore mes Ballkanit dhe BE gjatë përjudhës së pandemisë.
Denaj mirëpriti disa nga synimet e vendosura për katër vitet e ardhshme në agjendën e bashkëpunimit rajonal, si “transformimin dixhital dhe për të rritur konvergjencën me Tregun e Vetëm Dixhital të BE” si dhe projektet në kuadër të Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Ministrja kërkoi ndihmë për të ndihmuar sektorin privat të marrë veten nga humbjet e shkaktuara nga pandemia e Covid-19.