Elva Margariti, Ministrja shqiptare e Kulturës, bëri me dije se trupat e gjetur në Përmet këtë javë i përkasin periudhës mesjetare.
Në një postim në Instagram, Margariti shkruajti:
“Një varrezë mesjetare u zbulua në Përmet …Rezultatet paraprake sugjerojnë se kemi të bëjmë me një varrezë mesjetare … Në takimin e djeshëm të Trashëgimisë Kulturore Kombëtare, diskutuam dhe vendosëm të kryejmë gërmime arkeologjike dhe të shpëtojmë objektet për Institutin Kombëtar të Trashëgimisë.”
Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të vendit, ndërkohë, tha se eshtrat u përkasin viktimave të regjimit komunist. Janë mes 6,000 dhe 7,000 njerëz ende të zhdukur, të cilët janë vrarë nga regjimi nga vitet 1940 e pas.
Presidenti i Shoqatës, Nebil Çika, tha se dëshmitarët dhe provat e tjera sugjerojnë se eshtrat janë të kohës së regjimit. Ai shtoi se në vendin e gërmuar më parë ishte një njësi ushtarake.
“Bazuar në të dhënat që kemi nga arkivat e Ministrisë së Brendshme, por edhe dëshmitarët, këto lloj njësish të izoluara, në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit, u përdorën si vende ekzekutimi për kundërshtarët e regjimit,” citohet Cika nga BIRN.
“Ata që u dënuan me vdekje, ata që u vranë ose u kapën në kufi, u varrosën në këto vende,” shtoi ai.
Pavarësisht se Permeti ishte një bastion i komunizmit, dhjetëra familjeve iu vranë të dashurit e tyre. Besohet se janë rreth 100 njerëz që janë të zhdukur, vetëm nga kjo zonë.
Zyra e Prokurorit të Përmetit, megjithatë, mbështeti deklaratën e Ministres dhe u shpreh se gjithashtu besojnë se mbetjet janë nga një periudhë shumë më e hershme.
Kur u pyet për deklaratën e Margaritit, Cika i tha Exit se:
“Është detyra e prokurorisë të hetojë dhe të deklarojë nëse ato janë eshtrat e atyre që janë zhdukur gjatë komunizmit. Deri më tani, prokuroria nuk ka kryer apo ka përfunduar asnjë hetim. ”
Ai shtoi se specialistët e Ministrisë Kulturës nuk mund të kishin vizituar vendin pa praninë e prokurorisë, pasi konsiderohet skenë krimi sipas ligjit shqiptar.
“Nëse punonjësit e Ministrisë kanë qenë atje pa një prokuror, ata kanë kryer një vepër penale dhe mund të kenë shkatërruar provat,” tha Cika.
Ai shtoi se mendon se deklarata e ministrës, para se të ketë përfunduar hetimi zyrtar përbën shkelje dhe “një përpjekje nga qeveria për të sabotuar kërkimin për të zhdukurit nga regjimi komunist”.
Cika gjithashtu vuri në dukje se Ministri i Kulturës nuk ka juridiksion mbi çështjet penale dhe prokuroria ende nuk ka reaguar zyrtarisht.
Dështimi i prokurorëve shqiptarë për të hetuar viktimat e zhdukura të regjimit komunist është theksuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.
Një raport i vitit 2021 vuri në dukje se detyrimi i qeverisë për të dhënë llogari për personat e zhdukur nuk po përmbushej, pasi gërmimet e varreve masive të dyshuara nuk kishin filluar.
Komisioni vuri në dukje se dosjet që i ishin dërguar prokurorit tre vjet më parë ende nuk ishin ndjekur, pa ndonjë arsye.
Sipas raportit, mungesa e veprimit nga autoritetet i ka detyruar disa familjar të përpiqen të kërkojnë vetë eshtrat. Gërmimet kanë filluar pa ndihmë profesionale dhe në mënyrë të paligjshme, vëren raporti.
ICMP thekson se hetimet duhet të jenë të sakta, të shpejta, transparente dhe zyrtare.
Partia Socialiste, anëtare e së cilës është Margariti, është pasardhëse e drejtpërdrejtë e Partisë Komuniste. Asnjëherë nuk ka kërkuar zyrtarisht falje për mijëra të vrarë dhe të zhdukur në 50 vitet e sundimit komunist.
Përsa i përket trupave në Përmet, Cika dhe organizata e tij ende nuk kanë paraqitur prova publike se i përkasin të zhdukurve, viktima të komunizmit. Po kështu, prokuroria ende nuk ka hetuar.