“Marrëveshja e mirëmbajtjes për rrjetet numerike të RTSH është dokument i ndarë nga kontrata për ndërtimin e këtyre rrjeteve. Lidhja ose jo e një marrëveshjeje për mirëmbajtjen është vendimmarrje e RTSH si institucion i pavarur.”
Me anë të kësaj deklarate, Ministria e Inovacionit u distancua nga nënshkrimi i tenderit prej 8.8 milionë eurosh, për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit dixhital të RTSH. Sipas Ministrisë, kontrata mes Ministrisë së Inovacionit dhe kompanisë gjermane “Rohde & Schwarz” prej 21,5 milionë eurosh përfshin vetëm ndërtimin e rrjetit të transmetimit dixhital të Radio Televizionit Shqiptar.
Pak ditë me parë, Shqiptarja.com denoncoi tenderin prej 8.8 milionë eurosh dhënë kompanisë Idea-Tel, për mirëmbajtjen e rrjetit dixhital të transmetimit të RTSH, i cili akoma nuk është ndërtuar. RTSH e ka mohuar nënshkrimin e kësaj kontrate, duke thënë se kontrata prej 8.8 milionë eurosh është pjesë integrale e kontratës mes Ministrisë së Inovacionit dhe kompanisë gjermane “Rohde & Schwarz” prej 21,5 milionë euro.