Qeveria hollandeze shkarkoi sekretaren shtetërore të çështjeve ekonomike të shtunën pasi ajo kritikoi detyrimin e paraqitjes së pasaportës së vaksinimit.
Në një intervistë me gazetën holandeze De Telegraaf, zyrtarja hollandeze u shpreh se “për mua po bëhet gjithnjë e më e vështirë të shpjegosh pse duhet të tregosh një dëshmi të vaksinimit në një vend, por jo në tjetrin”, raporton Politico.eu.
Nga e shtuna, në vendet publike në Hollandë lejohet hyrja me dëshminë e vaksinimit ose një test negativ të Covid-19 pasi shumica e masave të distancimit shoqëror u hoqën.
Në një deklaratë për median, Kryeministri Mark Rutte tha se ai, me marrëveshjen e anëtarëve të lartë të ekipit të tij, vendosi që zyrtarja e lartë të shkarkohet.
Sipas deklaratës së Rutte, komentet e saj ishin “në konflikt të drejtpërdrejtë me vendimet e marra vetëm kohët e fundit në këshill”.
Shkarkimi i saj vjen menjëherë pas dorëheqjes së dy anëtarëve të tjerë të kabinetit, ministri i jashtëm Sigrid Kaag dhe ministri i mbrojtjes Ank Bijleveldt dhanë dorëheqjen javën e kaluar për mënyrën e evakuimit të stafit të ambasadës holandeze në Kabul.