Ministrja në pritje e Arsimit Besa Shahini i kërkoi sot studentëve të mos bllokojnë punën e sekretarive mësimore përmes ngujimit nëpër fakultete.
Me anë të një deklarate për shtyp, Zonja Shahini tha se “ngujimi i studentëve në fakultete e bën të pamundur për ministrinë e Arsimit të marrë listat me emrat e studentëve për tarifat dhe bursat.”
Besa Shahini njoftoi se sot është dita e fundit që rreth 50 përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave do të jenë në universitete për të ndihmuar studentët me paqartësitë për zbatimin e VKM-së së 26 dhjetorit.
Dekani i Fakultetit të Drejtësisë Arta Hoxha, po ashtu, i ka kërkuar studentëve të kthehen në mësim dhe t’i japin fund ngujimit.
“Keni marrë peng shkollën”- i drejtohet ai studentëve, në një video të publikuar nga ata.
Ndërkohë studentët vazhdojnë të bojkotojnë mësimin, pavarësisht presioneve dhe nuk kanë lejuar asnjë përfaqësues të ministrive brenda fakulteteve.
Disa prej studentëve kanë denoncuar se Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike Albana Koçiu i ka ofruar disa studentëve vende punë në rast se heqin dorë nga protesta.
Aktualisht janë shtatë fakultete, brenda të cilave qindra studentët janë ngujuar prej ditësh duke mos pranuar të dalin pa plotësimin e tetë kërkesave të tyre dhe rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë.