Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka i bëri apel emigrantëve të bllokuar në Kakavijë që të kthehen mbrapsht pasi është e pamundur që të gjithë të kalojnë kufirin brenda datës 15 gusht.
Duke folur nga Kakavija ku ndodhet prej disa orësh, Xhaçka tha se masat e vëna nga shteti grek duhen respektuar:
“Ne masat do t’i respektojmë sepse nuk çfarë të bëjmë, nuk i biem dot murit me kokë.”
Ajo tha se qeveria shqiptare po negocion me atë greke për të rritur stafin në sportelet e doganës greke dhe mjekët që bëjnë testimin e qytetarëve:
“Ka predispozitë pozitive për të rritur kapacitet njerëzor, qoftë për mjekëve dhe për të shtuar sportele, por edhe kjo ka vështirësitë e veta, pavarësisht dashamirësisë për ta ofruar.”
Ministrja tha se situata në Kakavijë nuk është tendencioze nga pala greke, pasi shumë shtete po marrin masa shtesë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit:
“Nuk është vetëm Greqia, masat i ka vendosur Anglia për Francën, nuk protestuam kur Itali mbylli kufijtë, as kur i mbyllëm ne, sepse kjo ishte mënyra jonë për të mbrojtur qytetarët.”