Kuvendi miratoi me 106 vota pro për hapjen e listave me të paktën dy të tretat dhe heqjen e koalicioneve.
Në votim morën pjesë 116 deputetë.
Kundër votuan 10 deputetë: Adriatik Alimadhi, Fatjona Dhimitri, Gjetan Gjetani, Kujtim Gjuzi, Elda Hoti, Lefter Maliqi, Erion Piciri, Artur Roshi, Zef Shtjefni, Suzana Topi.
Në votim nuk morën pjesë 6 deputetë: Ralf Gjoni, Ambra Borova, Elio Hysko, Enada Kapllani, Ligoraq Karamelo, Enver Roshi.
Ndryshimet kushtetuese u propozuan nga 28 deputetët e opozitës në Kuvend dhe u mbështetën nga Partia Socialiste.
Këto ndryshime u kundërshtuan nga opozita jashtëparlamentare. Partitë PD dhe LSI propozuan hapjen me 100 përqind të listave dhe mos prekjen e koalicioneve, pragut dhe zonave zgjedhore.
Të mërkurën, PS braktisi mbledhjen e këshillit politik pa arritur dakordësi me dy partitë më të mëdha të opozitës.
PD dhe LSI në mënyrë të vazhdueshme i kanë kujtuar PS-së se miratimi i njëanshëm i ndryshimeve do të prishë konsensusin e arritur më 5 qershor, do të prishë mundësinë për zgjedhje dhe qeveri të re të pakontestuar.