Në kushtetutë do të bëhen ndryshime vetëm për hapjen e listave për deputetë, ndërsa për heqjen e koalicioneve parazgjedhore dhe pragun zgjedhor do të bëhen ndryshime në kodin Zgjedhor.
Kështu ranë dakord shumica socialiste dhe opozita parlamentare, në 14 korrik, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve.
Deputetja socialiste Klotilda Ferhati u shpreh:
“Në Kushtetutë nuk kemi pse shkruajmë që ndalohen koalicionet. Kjo vetëkuptohet, kur themi që kandidatët i propozon vetëm partia dhe zgjedhësit. Në Kushtetutë ruajmë vetëm parimet, në Kodin Zgjedhor saktësojmë detajet. Nivelin se sa do të jetë për qindja e pragut kombëtar do të lëmë ta saktësojmë në Kodin Zgjedhor.”
Gjatë mbledhjes u vu re unanimiteti i deputetëve socialistë, shumë prej të cilëve deklaruan se hapja e listave të kandidatëve e bën të pamundur hyrjen në zgjedhje me koalicione parazgjedhore.
Gjatë debatit, deputetët e opozitës kanë kërkuar që pragu kombëtar të jetë natyral në çdo qark dhe që kjo të reflektohet në Kodin Zgjedhor.
Deputeti Myslim Murrizi u shpreh:
“Mazhoranca të garantojë që prag kombëtar do të jetë pragu natyral i çdo qarku. Pra mandati nuk duhet të humbë për artifica.”
Një ditë më parë, opozita parlamentare u tërhoq nga kërkesa e saj për të rritur pragun zgjedhor nga 3 për qind që është aktualisht në 5 për qind. Dje ata kërkuan uljen e pragut në 2 për qind, ndërsa sot propozuan që pragu të jetë natyral dhe të vendoset nga raporti i votuesve dhe deputetëve në çdo qark.
Ndryshimet e miratuara sot në komision do të kalojnë për votim në kuvend, ku do të duhen 94 vota për tu miratuar.