Kuvendi miratoi të hënën buxhetin e 2021-it me 84 vota pro, 14 kundra dhe 1 abstenim.
Një javë më parë ai u miratua në parim në kuvend dhe më pas në komisionet parlamentare pati disa ndryshime të vogla përsa i përket buxheteve për disa prej institucioneve, siç ishin ato të sistemit të ri të drejtësisë të cilët kërkuar rritje buxheti.Siç Exit News ka shkruar më parë, projektbuxheti 2021 i hartuar nga qeveria është një buxhet për vit elektoral, me pretendime optimiste të qeverisë për mbledhjen e të ardhurave dhe ku parashikohet dhënia e rreth 400 milionë dollarëve në kontrata të reja koncesionare.
Banka e Shqipërisë, gjatë mbledhjes me Komisionin e Ekonomisë, shprehu shqetësimin e saj për parashikimet e bëra nga qeveria në projektbuxhetin 2021, veçanërisht për mbledhjen e të ardhurave për vitin 2021, investimet përmes Partneriteteve Publike-Private dhe borxhit të lartë publik.
Ndër të tjera, BSH i ka rekomanduar qeverisë që të tregojë kujdes me shpenzimet e parashikuara në projektbuxhet, të cilat janë të larta, dhe ti bazojë ato në varësi të ritmit së mbledhjes së të ardhurave.
Në lidhje me borxhin publik, BSH shpreh shqetësimin se pavarësisht parashikimit të qeverisë për të ulur borxhin me dy pikë përqindje deri në fund të vitit 2021, sërish niveli i borxhit mbetet shqetësues.