Miratohet rregullorja e re, Kuvendi kthehet “de facto” në një gjykatë

Miratohet rregullorja e re, Kuvendi kthehet “de facto” në një gjykatë

Komisioni i Ligjeve miratoi sot, vetëm me votat e shumicës socialiste, ndryshimet në rregulloren e Kuvendit.

Deputetët e opozitës i kundërshtuan propozimet dhe kërkuan shqyrtimin e  rregullores në Këshillin e Rregullores. Kërkesa e deputetëve të opozitës nuk u pranua nga deputetët e PS-së.

Ndryshimet në rregullore

Ndryshimet e reja në Rregulloren e Kuvendit, të propozuara nga shumica socialiste i japin deputetëve dhe ministrave imunitet nga arresti për çdo vepër penale, sado serioze të jetë ajo. Çdo kërkesë e prokurorisë për arrestimin e një zyrtari të lartë, do të kthehet në një proces gjyqësor, ku gjykatës do të jenë anëtarët e Këshillit të Mandateve në parlament.

Kështu, në rast të një hetimi ndaj një deputeti apo ministri, të dyshuar për kryerjen e një vepre penale, Këshilli i Mandateve në Kuvend do të marr në pyetje prokurorinë; do të vlerësojë dhe vendosi nëse prokuroria ka prova të mjaftueshme për ta arrestuar deputetin; si dhe do të vlerësojë nëse deputeti është i fajshëm apo i pafajshëm. Imuniteti i deputetëve apo ministrave nuk mund të hiqet vetën në bazë të provave apo dyshimesh të arsyeshme dhe më pas të hetohet dhe të përballet me drejtësinë si njeri i zakonshëm, pa miratimin e Kuvendit.

Në fakt, sipas ligjeve shqiptare, gjykata është i vetmi institution, ku prokuroria ka të drejtë të paraqesë provat e ligjshme dhe mbrojtja ka të drejtë t’i kundërshtojë ato. Gjithashtu, gjykata është i vetmi institucion që ka të drejtën të administrojë dhe vlerësojë provat e paraqitura nga prokuroria dhe të shpallë fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarit.

Ky imunitet i garantuar nga rregullorja e Kuvendit, nuk praktikohet në asnjë vend të botës. Shumica dërrmuese e vendeve perëndimore, nuk i jep imunitet deputetëve për vepra penale të kryera jashtë sallës së parlamentit. Për shembull, anëtarët e Kongresit të SHBA-ve dhe deputetët e parlamentit britanik mund të arrestohen në çdo moment, nëse akuzohen për vepra penale— për çdo krim më serioz se kundravajtjet penale. Jo rastësisht, në këto dy vende, aq imunitet sa jepet, njihet respektivisht si “privilegj nga arresti” dhe “privilegj parlamentar”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>