Mirë mbyllja e pikave të basteve, po për njerëzit e prekur kush mendon?

Nga Alice Elizabeth Taylor
Mirë mbyllja e pikave të basteve, po për njerëzit e prekur kush mendon?

Po të ecësh në cilëndo rrugë në Tiranë, apo edhe në cilindo qytet tjetër, syri do të të zërë lokale e kafene llotosh njëra pas tjetrës. Dritaret me ngjitësa shumëngjyrësha, dridhjet e dritave të televizorëve dhe klientët meshkujt që hyjnë e dalin të bëjnë të kuptosh që këto nuk janë kafene të zakonshme.

Në Shqipërinë me 2,8 milionë banorë ka një numër tronditës prej më shumë se 4400 llotosh, ku raporti 670 banorë për çdo lloto është jashtëzakonisht i lartë; madje shumë më i lartë edhe se çdo vend ballkanik apo perëndimor. Një studim i Universitetit të Tiranës tregon se 1 në 4 bastexhinj të rregullt kanë tentuar të vetëvriten së paku një herë në jetë, dhe 70 për qind e tyre përjetojnë stres apo problem të tjera psikologjike për arsye të kumarit.

Studimi ka gjetur lidhje shkak-pasojë edhe midis kumarit dhe dhunës në familje ndaj partnereve. Në një vend si Shqipëria, ku një në çdo dy gra abuzohet nga partneri i saj, është e mirëpritur me krahë hapur çdo zbutje e shkaqeve të jashtme që shkaktojnë dhunë. Madje, në 70 pë qind të divorceve në Gjykatën e Tiranës në vitin 2018 është paraqitur kumari si një ndër aryset kryesore për divorcet.

Kështu, më 1 janar 2019, të gjitha pikat e basteve në Shqipëri do të mbyllen. Në bazë të një ligji të ri, bastet në terren dhe online do të jenë të paligjshme, ndërsa kazinotë do të lejohen vetëm në hotelet e licencuara me pesë yje.

Ndërkohë që në letër ky duket një lajm shumë i mirë, ka megjithatë disa çështje që mund të jenë shqetësuese.

Së pari, varësia ndaj kumarit është një sëmundje që kërkon trajtimin e duhur për t’u menaxhuar në mënyrë të sigurt. Me ndalimin e menjëhershëm të basteve në terren, bastexhinjtë nën varësinë e kumarit do ta kenë të vështirë. Ndërkohë që qeveria thotë se do të ngrejë disa qendra rehabilitimi për ata që kanë nevojë, ndalimi i menjëhershëm i asaj që  tek shumëkush ndikon si droga, pritet të ketë një efekt shkatërrues tek personat nën varësinë e kumarit. A do të rritet vallë numri i rasteve të dhunës në familje? Po numri i vetëvrasjeve? A ka vallë në dispozicion mjaftueshëm psikologë dhe punonjës këshillimorë për t’i ndihmuar këta njerëz në çdo qytet e fshat? Kumari është një fenomen negativ, por kjo nuk do të thotë që personat nën varësinë e tij nuk duhet trajtuar me dhembshuri, përkujdesje dhe me vëmendjen e duhur për të trajtuar shërimin e tyre nga sëmundja prej së cilës vuajnë.

Së dyti, ata që janë vërtet të fiksuar ndaj basteve dhe ndaj fitimit të të hollave në këtë mënyrë kanë për ta gjetur gjithsesi një mënyrë. Bastet që shohim sot do të kalojnë në skuta të errëta, pasi kërkesa për këtë shërbim do të sjellë gjithsesi ofrimin e tij. A ka ngritur vallë qeveria ndonjë ekip të posaçëm kundër kumarit? A ka ka garanci që një ekip i tillë do të jetë i pakorruptueshëm? Apo mos situata me të tillë ekip do t’i ngjante asaj të tregtisë së drogës, e cila kalonte nën hundën e autoriteteve, pa e vënë thuajse askush ujin në zjarr.

Së treti, në një vend si Shqipëria, ku rroga mesatare vërtitet tek 300 eurot në muaj, ku një ndër shtatë persona jetojnë në varfëri (me më pak se një dollar në ditë), ku papunësia rreh tek 15 përqindëshi, humbja e 8 mijë vendeve të punës që sjell mbyllja e këtyre pikave të bastit mund t’i sjellë mjerim shumë familjeve. Unë vërtet besoj se kumari duhet ndaluar me ligj, mirëpo nuk mund të mos ndiej keqardhje për ata që do të humbasin vendet e punës për shkak të këtij ndalimi. Nuk dua t’ia di fare për ata që përfitojnë nga mjerimi dhe fatkeqësia e të tjerëve, por më dhimbsen ata që punojnë në këto pika bastes për të mbajtur me ushqim familjet e tyre. A ka ndonjë plan qeveria për t’i gjetur atyre punë, apo për t’i ndihmuar në çfarëdolloj forme? A do t’u jepet atyre ndonjë mbështetje finaciare apo asistencë? Apo do të hidhen thjesht në mes të katër rrugëve derisa të harrohen, si shumë të tjerë në këtë vend? Ka qenë pikërisht qeveria që e ka lënë të lulëzojë këtë sektor të ekonomisë, dhe po qeveria mbetet përgjegjëse për ata që do të humbasin burimin financiar të jetesës së tyre.

Unë e mirëpres mbylljen e pikave të basteve në Shqipëri, por kam dyshime të forta se ky ka qenë një vendim i pamenduar (vendimi u mor në tetor, për t’u zbatuar pas vetëm dy muajsh). Zbatimi në këtë mënyrë i tij do të sjellë vuajtje, për shkak të mungesës së masave paraprake, mungesës së planifikimit dhe të përkujdesjes për njerëzit që do të preken nga ky vendim.

Do të doja ta kisha gabim, por nuk mendoj ashtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>