Misioni Amerikan në OSBE ka përshëndetur nismën e kryeministrit Rama, me cilësinë e kreut të OSBE-së, për të nisur një dialog për zgjidhjen e krizës në Bjellorusi.
Në një postim në Twitter, bashkë me një foto nga takimi i Ramës me Stephen Biegun, zëvendës sekretar i shtetit SHBA-së, Misioni Amerikan shkruan:
“Falënderojmë Edi Ramën për iniciativën e tij dhe i kërkojmë qeverisë së Bjellorusisë të pranojë ofertën e tij për të ulur në bisedime të gjithë palët e interesuara. Siç deklaroi Rama, dialogu i hapur dhe konstruktiv është i nevojshëm për të gjetur një rrugëdalje në Bjellorusi.”
Të njëjtin mesazh e shpërndau në profilin e saj dhe ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim.
Ky postim vjen pas takimit të Ramës me zëvendës sekretarin e shtetit të SHBA-ve, për të folur për krizën në Bjellorusi.
Rama ndodhet në Vjenë për të drejtuar një takim special të OSBE-së për gjendjen në Bjellorusi, më 28 gusht.
Kryetari i OSBE-së Rama dhe Ministri i Jashtëm i Suedisë Ann Linde shprehën gadishmërinë për të vizituar Bjellorusinë me qëllim ndërmjetësimin e një dialogu konstruktiv.