Misioni i OSBE-së në Tiranë nuk pranoi të komentonte sjelljen e pahijshme të Ambasadorit Bernd Borchardt ndaj protestuesve të Unazës së Re, gjest për të cilin ai kërkoi dje falje publike.
Pyetur nga Exit.al nëse misioni do të marrë ndonjë masë disiplinore ndaj ambasadorit, misioni i OSBE-së në Tiranë deklaroi:
“OSBE-ja ka standarde të larta të sjelljes që pret që të gjithë zyrtarët e saj t’i përmbahen.
Këto standarde të sjelljes zbatohen përmes procedurave të forta të brendshme të cilat përdoren kur informacioni del në dritë në lidhje me ndonjë shkelje të pretenduar të standardeve të sjelljes.
Këto procedura janë çështje e menaxhimit të brendshëm që zhvillohet në mënyrë të drejtë, transparente dhe pa paragjykuar ndonjë rezultat.
Prandaj ne nuk komentojmë publikisht për ndonjë rast specifik.”
OSBE nuk komentoi as nëse mosdënimi publik i veprimeve të Borchardtit vendos precedent të keq për presidencën e OSBE-së, të cilën Shqipëria do ta marrë vitin e ardhshëm, apo për pretendimin e Taulant Ballës se “në çdo rast ambasadorët shprehin qëndrimin e organizatave ose vendeve që ata përfaqësojnë. “