Misioni i SHBA në OSBE: Blerja e votës dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore mbeten probleme në zgjedhje

Nga Exit News
Misioni i SHBA në OSBE: Blerja e votës dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore mbeten probleme në zgjedhje

Blerja e votës dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore në zgjedhje vazhdon të mbetet problem në Shqipëri, sipas misionit amerikan në OSBE.

Përmes një deklarate për zgjedhjet në Shqipëri, misioni i SHBA në OSBE vë në dukje problemet që sipas tyre shoqëruan zgjedhjet e 25 prillit.

“SHBA ka vënë re në gjetjet e raportit të misionit monitorues të OSBE se partia në pushtet ka përfituar një avantazh të konsiderueshëm prej pasjes së pushtetit, përfshi këtu kontrollin ndaj administratave lokale si edhe shfrytëzimin dhe keqpërdorimin e burimeve administrative/resurset publike. Ne gjithashtu vëmë re një tjetër gjetje të raportit të OSBE që tregon se praktikat e përhapura kudo në vend, të blerjes së votës vazhdojnë të mbeten një problem dhe kjo i përforcon shqetësimet tona rreth incidentit të publikimit të databazës me informacionet personale të qytetarëve, që përfshinin edhe preferencat politike të votuesve”, thuhet në deklaratën e tyre.

Misioni i SHBA inkurajon institucionet e drejtësisë që të hetojnë dhe të vendosin para përgjegjësisë “çdo individ që shkeli ligjin dhe pengoi të drejtën e popullit të Shqipërisë për të votuar”.

Në deklaratë thuhet se SHBA ka mirëpritur deklaratën e SPAK për hetimin e krimeve zgjedhore.

Sa i përket administrimit të zgjedhjeve, SHBA ka përgëzuar KQZ-në për mbajtjen e një procesi elektoral të mirorganizuar dhe transparent.

Misioni thekson se përmirësimi i Kodit Zgjedhor dhe pjesëmarrja e një numri partish në zgjedhje, tregon përkushtimin e Shqipërisë ndaj përmirësimit të demokracisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>