Mjedisorët propozojnë kthimin e rrjedhës së lumit Vjosa në park kombëtar

Nga Erblin Vukaj
Mjedisorët propozojnë kthimin e rrjedhës së lumit Vjosa në park kombëtar

Përpjekja për të shpëtuar lumin Vjosa nga hidrocentralet ka shtyrë 3 organizata mjedisore që të propozojnë krijimin e një parku kombëtar. Riverwatch, EuroNatur dhe EcoAlbania mendojnë se kthimi i rrjedhës së Vjosës në park mund ta mbrojë atë nga planet për të ngritur diga në të.

Sipas tyre parku mund të jetë me një sipërfaqe prej 111,600 hektarësh, çka do ta bënte atë më të madhin në Shqipëri duke tejkaluar parqe si ai i Bredhit të Hotovë-Dangëllisë dhe Shebenik-Jabllanicës. Nga kjo zonë e stërmadhe pjesët më të rëndësishme mendohet të jenë pjesa Tepelenë-Bënçe, Kalivaç-Poçem dhe grykëderdhja e Vjosës në detin Adriatik.

Tre organizatat mjedisore thonë se propozimi i tyre mund të realizohet brenda tre vitesh, por vetëm nëse gjendet bashkëpunim me komunitetet lokale dhe institucionet vendore dhe qëndrore.

Idenë për Vjosën park e pati edhe Qeveria Rama, por ajo e ndryshoi brenda një viti. Në fushatën zgjedhore për qeverisjen vendore, kryeministri Rama thoshte:

Jemi duke punuar për një projekt për Parkun Kombëtar të Vjosës. Që do të thotë që Vjosa e cila konsideroht si pasuri e veçantë natyrore të ruhet dhe të jetë një burim i ri rritjeje në turizëm.

Një vit pas zgjedhjeve, Qeveria Rama lajmëroi dhënien me koncesion 35 vite të ndërtimit dhe operimit të H/C të Poçemit në Vjosë. Në zgjedhje Rama tha se nuk do të lejonte që në Vjosë të ndodhte ajo që kishte ndodhur me lumenjtë e tjerë, por ai zbatoi të njëjtat plane si Qeveria Berisha. Kështu përballë propozimit më të fundit për ta kthyer Vjosën në Park, qeveria duket se do jetë kundërshtarja e parë për të, për faktin se e konsideron Vjosën si burim strategjik për planin hidroenergjitik.

Vëzhgimet shkencore kanë pikasur në luginat e Vjosës rreth 177 specie që rrezikohen nga ndërtimet e hidrocentraleve. Në rrjedhën e lumit parashikohen të ndërtohen 8 hidrocentrale, ndërsa në përrenjtë që e furnizojnë atë 34 të tjerë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>