Organizata jo-fitimprurëse “Together for Life” i kërkoi të enjten qeverisë të pajisë me materiale mbrojtëse mjekët e familjes, të cilët prej 6 prillit trajtojnë personat e sëmurë lehtë nga Covid-19.
Një vëzhgim i organizatës tregon se mjekët nuk janë pajisur me materiale mbrojtëse për të përballuar epideminë, një pjesë i blejnë vetë ndërsa nuk kanë shumë informacion për pacientët që duhet të trajtohen në kushte shtëpie.
Deri të enjten, 9 prill, 41 mjekë dhe infermierë janë infektuar me Covid-19 në Shqipëri.
Për të parandaluar shtimin e rasteve, organizata Together for Life i bën thirrje autoriteteve shëndetësore:
“[…] garantimin e mjekëve të familjes me furnizime të tilla si: maska, doreza, size, veshje speciale mbrojtëse, dezinfektues për duart, sapun, ujë, mjete pastruese. Gjithashtu ata të përditësohen/trajnohen lidhur me simptomatikën, qasjen ndaj pacientit dhe zhvillimet e Covid-19.”
Nëpër rrethe mjekët e familjes kanë mangësi në masat minimale të mbrojtjes si doreza apo maska kirurgjikale dhe shumë prej tyre po i blejnë vetë.
Më 6 prill, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi se të sëmurët lehtë me Covid-19, të cilët janë mbyllur në shtëpi, do të ndiqen nga 1 600 mjekë të familjes.
Mirëpo drejtoresha e organizatës Together for Life, Eglantina Bardhi, i tha BIRN-it se pas një vëzhgimi në terren, mjekët e familjeve janë shprehur konfuzë se si do të funksionojë angazhimi i tyre.
Ministrja qe shprehur se ata do të përdorin telemjekësinë dhe videokonsultat, por shumica e mjekëve të familjes nuk kanë informacione se kush janë sëmurur dhe izoluar në shtëpi në zonat që ata mbulojnë.