Stafi i spitalit Infektiv me në krye doktoreshë Najada Çomon i ka quajtur ‘tronditëse’ akuzat e kreut të PD-së Lulzim Basha për fshehjen e numrave realë të viktimave me Covid-19, bërë gjatë emisionit ‘Opinion’ mbrëmjen e së enjtes.
Përmes një videoje, doktoreshë Çomo i quajti akuzat si sulm ndaj punës së mjekëve prej 9 muajsh:
“Shprehim publikisht habinë tonë në lidhje me akzuat e bëra nga Lulzim Basha.
Janë akuza tronditëse që vënë në që vendosin në goditje profesionalizmin tonë si mjek por janë dhe goditje të befasishme të përpjekjeve tona më shumë se 9 mujore me COVID-19.”
Ajo hodhi poshtë çdo mundësi se numrat e viktiamve po fshihen dhe ulen artificialisht:
“Nuk është kurrësesi e vërtetë që janë fshehur vdekjet nga COVID-19 dhe themi me përgjegjësi të plotë që kjo jo vetëm është praktikisht dhe teorikisht e pamundur.
Çdo pacient që ndërron jetë, përcillet për në morg së bashku me kartelën shoqëruese. Kartela bashkëshoqëruese përmban dhe arsyen e vdekjes së qytetarit, firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale e ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit nga mjeku që ka konstatuar vdekjen e personit.
Shkaku i vdekjes së një pacienti në spital nuk mund të përcaktohet as nga politikanët as nga kushdo qoftë përveç mjekut përkatës.”
Një ditë më parë, Lulzim Basha akuzoi në Opinion qeverinë se po fsheh numrat e vërtetë të viktimave, të cilat janë më të larta se ato të raportuara zyrtarisht:
“Autoritet shtetërore kanë fshehur nurmin real të viktimave nga COVID-19.
Në 17 ditët e para të muajit janë raportuar 128 viktima, ndërsa shifrat reale tregojnë se numri i vdekjeve gjatë këtyre ditëve është më shumë se dyfish, plot 315 vdekje.
Data 9 nëntor rezulton si më tragjike sa i përket fataliteteve ku ministria e shëndetësisë ka raportuar numrin më të lartë të vdekjeve, 11, ndërsa shifrat reale sipas të dhënave janë 26 viktima nga Covid-19.”
Basha i bëri thirrje prokurorisë që të shkojë në morg të marrë evidencat e plota dhe të hetojë situatën, pasi sipas tij ‘po bëhet politikë me të vdekurit’.