Mogherini flet për “punë të jashtëzakonshme” të qeverisë, po për çfarë e ka fjalën, vallë?

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Mogherini flet për “punë të jashtëzakonshme” të qeverisë, po për çfarë e ka fjalën, vallë?

Gjatë vizitës së fundit në Bruksel, Kryeministri Edi Rama u takua me të gjithë zyrtarët e lartë të Komisionit Evropian, të cilët nevojiten për të bërë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE në pranverën e 2018-ës, kur do të paraqitet raport-progresi i Komisionit.

Kryeministri takoi Presidentin e Komisionit Jean-Claude Juncker. Ky i fundit, në shenjë solidarizimi me Ramën, përdori të njëjtat argumente kundër medias që raporton gjendjen e krimit shqiptar në Shqipëri dhe Evropë. Ndërsa në një takim të organizuar me grupin Miqtë e Shqipërisë, Kryeministri Rama përsëriti kërcënimet e tij “ironike” se Rusia dhe Kina ofrojnë modele “interesante” nëse BE-ja mendon të tërhiqet nga procesi i zgjerimit në Ballkan. Me pak fjalë, në latinisht do të thuhej nihil sub sole novum—asgjë të re që nuk kishte ndodhur më parë.

Edhe Përfaqësuesja  e Lartë Federica Mogherini bëri daljen e detyrueshme me Kryeministrin Rama, vetëm pak javë më pas, pasi deklaroi se Shqipëria një ditë “do të jetë gati për të negociuar, Inshallah!”

Është deri diku e mundimshme të çash përmes lëmshit të fjalëve burokratike të saj, por le të shohim se çfarë deklaroi Zonja Mogherini:

“Është kënaqësi për mua të mirëpres përsëri Kryeministrin Rama në një moment që është veçanërisht i rëndësishëm për rrugën e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Shqipëria, nën udhëheqjen e tij, ka bërë punë të jashtëzakonshme, veçanërisht në reformën e drejtësisë, luftën kundër drogës dhe korrupsionit — një punë që ne e mbështesim dhe që duhet të vazhdojë. Kjo është një punë që mund të hapë rrugën drejt hapave të mëtejshëm në procesin e integrimit evropian.”

Këto janë me siguri shumë hapa! Por çfarë do të thotë Mogherini kur thotë “të jashtëzakonshme”? Çfarë “punë e jashtëzakonshme” është bërë për reformën e drejtësisë? Është e vërtetë që reforma kushtetuese që siguronte bazën ligjore për reformën e sistemit gjyqësor u miratua me votim të shumicës e opozitës, sikurse gjithashtu se komisionet e vetingut u miratuan nga të dyja palët pas trysnisë “së jashtëzakonshme” nga BE dhe SHBA-të. Por, gjithçka tjetër lidhur me këtë reformë ka qenë më tepër se një katastrofë.

Qeveria, me votat e saj zvogëloi buxhetin dhe numrin e punonjësve për institucionet e vettingut—në kundërshtim me këshillat e ekspertëve ndërkombëtarë—duke minuar kështu pavarësinë e procesit të verifikimit dhe duke i bërë personat e përfshirë në verifikim më të dobët ndaj korrupsionit.

Ndërkohë, përparimi në lidhje me formimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGj), dy institucione të tjera që janë pjesë thelbësore e reformës gjyqësore, janë bllokuar për një kohë të papërcaktuar nga Parlamenti, i cili komandohet plotësisht nga Edi Rama, partia e të cilit ka shumicën absolute.

Më 4 tetor, Avokati i Popullit iu desh të rishpallte për të katërtën herë garën për anëtarin e shoqërisë civile të KLP-së, pasi në tri raundet e mëparshme nuk aplikuan kandidatë të përshtatshëm. Me të gjitha ato organizata joqeveritare, të kontrolluara (jo)drejtpërsëdrejt nga Rama dhe klani i tij, çdo kush do të mendonte se do të ishte e lehtë të gjehej një person që të paktën formalisht i plotësonte kushtet dhe kualifikohej.

Ndërkohë, drejtuesi i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, duket se ka më shumë informacion se Avokati i Popullit, pasi deklaroi se janë gjetur 5 kandidatë të përshtatshëm. Ndoshta, këta janë po aq “të përshtatshëm” sa kandidaturat e zgjedhura nga parlamenti për vendet e akademikëve në institucionet e drejtësisë, ku disa nga kandidatët shfaqën mangësi serioze dhe ndoshta dëmtime në tru, në qoftë se gjykohen nga amnesia totale që shfaqën kur u pyetën për pasuritë personale.

Në fakt, duket se zvarritja e procesit për formimin e KLP-së ka qenë një përpjekje e vetëdijshme politike, sepse në mungesë të KLP-së bëhet e pamundur zgjedhje e Prokurorit të Përgjithshëm, në përfundim të mandatit të Adriatik Llallës, më 7 dhjetor.

Në këto kushte, qeveria Rama pretendon se i lejohet ligjërisht të zgjedhë një pasardhës “të përkohshëm” të Llallës me një shumicë të thjeshtë votash në Kuvend.

Përtej kësaj çështjeje serioze të ligjshmërisë së një lëvizjeje të tillë, e cila mbështetet për habi edhe nga misionet ndërkombëtare të BE-së dhe SHBA-ve, EURALIUS dhe OPDAT, duket e çuditshme që rezultati praktik i reformës gjyqësore nuk është rritja e pavarësisë së drejtësisë, por përkundrazi kemi arritur në një situatë në të cilën një shumicë e thjesht parlamentare mund të emërojë prokurorin më të lartë në vend — duke e bërë gjyqësorin më të varur se kurrë nga politika.

Se si kjo gjendje mund të quhet “përparim i jashtëzakonshëm” është përtej logjikës–përveç, natyrisht, rastit kur ti je pjesë e palës që do të zgjedhë prokurorin e ardhshëm të përgjithshëm. Ndoshta, Mogherini është thjesht e hutuar dhe e ngatërron miratimin e një ligji në parlament me shtetin ligjor, një shprehje kjo që duket se është zhdukur nga fjalori i Komisionit Evropian.

Polemika mbi pasardhësin e Llallës është e lidhur me një tjetër “punë të jashtëzakonshme” të Ramës, me luftën e ashtuquajtur të tij kundër korrupsionit. Që nga viti 2013, në tiganin e gjykatës janë vënë zero “peshq” nga ata që preferon ambasadori Donald Lu. Asnjë. Asnjë i vetëm. Në fakt, korrupsioni mbetet i përhapur kudo dhe në të vërtet është arsyeja kryesore për mungesën totale të investimeve të reja të huaja në Shqipëri.

Situata madje u përkeqësua kur u ngritën dyshime serioze nga prokuroria se dora e djathtë e Ramës, ish- ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri është i përzjerë në trafik ndërkombëtar droge, për lehtësimin e së cilës Tahiri akuzohet se është paguar mjaft mirë nga kushërinj të tij kriminelë.

Që nga ai moment, 7 zyrtarë të lartë të qeverisë së mëparshme të Ramës, përfshi ministrin dhe disa shefa të policisë, janë të përfshirë në hetimin e prokurorisë.

E pikërisht në këto momente Qeveria Rama propozon të bëjë emërimin e një prokurori të ri të përkohshëm.

Përsëri, se si ky fakt është “përparim i madh” unë nuk arrij ta kuptoj.

Por ajo që ka rëndësi është se deklarata të tilla përfundojnë duke e dëmtuar Shqipërinë, sepse ato e nxisin Edi Ramën të vazhdojë rrugën e korruptuar dhe autokratike që ka nisur, duke ja hedhur fajin për mungesën e përparimit të vendit gjithkujt tjetër.

Në fund të fundit, Komisioni Europian nuk ka fjalën përfundimtare mbi Raportin e Progresit dhe është shumë e mundshme, siç ndodhi herën e fundit, që deputetë të mirëinformuar të Parlamentit Evropian do ta ndryshojnë rrënjësisht raportin dhe që Këshilli Evropian të mendohet gjatë para se ta miratojë atë. Dhe nuk duhet harruar se herën e fundit raporti nuk u aprovua fare zyrtarisht pasi Austria vuri veton.

E vetmja mënyrë për të shmangur një rezultat të tillë fatkeq është që Komisioni Evropian të përballet me realitetin në Shqipëri dhe ta shtyjë Ramën të luftojë krimin, korrupsionin dhe që të heqë dorë nga kapja e drejtësisë, sepse rruga e Shqipërisë drejt BE-së nuk mund të shtrohet me propagandë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>