Përfaqësuesja e Politikës së Jashtme të BE-së Federica Mogherini, në konferencën për shtyp të zhvilluar sëbashku me Kryeministrin Rama, sot, i bëri thirrje partive politike të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
“Ne besojmë që partitë politike nuk duhet t’u kthejnë shpinën përgjegjësive. Qytetarëve të mos i hiqet mundësia për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme vendore. Ky është një mesazh i fortë dhe i bashkuar i gjithë institucioneve të BE-së”, – u shpreh Mogherini.
Sipas, Mogherinit, zgjidhja e krizës politike duhet të vijë nga vetë partitë politike të Shqipërisë dhe jo nga BE-ja.
“Asnjëherë nuk promovoj dhe nuk hyj në negociata apo ndërmjetësime ndërmjet partive politike në një vend të caktuar qoftë brenda BE apo jashtë tij, këtë duhet ta bëjë politika e brendshme dhe roli i BE është që të ketë marrëdhënie me institucionet, me qeverinë, parlamentin, presidentin dhe shoqërinë.
Ky është roli që i përmbahem në mënyrë të rreptë. Nuk kam bërë negociata apo ndërmjetësime në 2017 në dinamikën e brendshme të politikës shqiptare dhe nuk e kam bërë as në vendet e tjera. Kjo nuk është qasja jonë për marrëdhëniet institucionale dhe politike me vendet tona partnere.”
Përfaqësuesja e Politikës së Jashtme të BE-së lavdëroi arritjet e qeverisë për reformën në drejtësi dhe në luftën kundër krimit të organizuar.
“Ajo që është arritur me reformën në drejtësi mbetet e paprecedentë jo vetëm në këtë rajon.
Ju keni arritur që të keni një reformë në sistemin e drejtësisë që do të ishte shembull dhe për disa shtete anëtare të BE-së në një proces që nuk ka qenë i lehtë. Vettingu ka sjellë rezultate të prekshme.
Ka pasur një sërë operacionesh të mëdha që kanë ndihmuar në shpërbërjen e grupeve kriminale. Ulje drastike të kultivimit të kanabisit”, – tha Mogherini.
Mogherini u shpreh se hapja e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE “mund të ndodh në qershor por nuk duhet marrë si e mirëqënë”.
Kryeministri Rama u shpreh se “nuk ka asnjë lloj diskutimi se zgjedhjet do të mbahen më datë 30 qershor. Kjo gjë nuk mund të vihet në diskutim nga askush. Është e sigurt që në këtë datë ka zgjedhje dhe qytetarët do të votojnë”.
Ndërsa akuzat e Kryeministrit Haradinaj për ndarjen e Kosoves, Kryeministri i quajti “një gënjeshtër e bërë aq e pabesueshme që të mund të shitet dhe blihet në territorin e marrëzisë online”.