Pas muajsh përballjeje të ashpër midis opozitës me qeverinë, ku turma njerëzish këmbyen molotovë dhe gaz lotsjellës me policinë në dyert e parlamentit, opozita ia dha goditjen finale Edi Ramës me këngë e valle, duke sjellë në kujtesë epokën komuniste. Kur të gjithë prisnin që tensioni dhe përballja fizike të arrinte kulmin, opozita zgjodhi të mos sulmojë, por ta tallë qeverinë, duke e lënë atë lirë në një proces humbjeje spektakolare. Epilogu i qeverisë në këtë përballje disamujore tensionesh nuk ishte tragjik, por komik, gjë që i rëndon më shumë një tallësi pa kufij si Edi Rama.
Ky ishte rezultati më i ulët që ka kapur ndonjëherë Partia Socialiste. KQZ-ja thotë se në zgjedhje morën pjesë rreth 20 përqind e zgjedhësve. Duke qenë se në zgjedhjet e mëparshme pjesëmarrësit kanë qenë në nivelin e rreth 50 përqindëshit, kjo do të thotë se PS-ja nuk ka mundur të fitojë dot më shumë se 40 përqind të votuesve aktivë. Nëse llogarisim votat e pavlefshme, ato të marra nga kandidatët e tjerë, si dhe manipulimet e mundshme, që tani po duken qartë, rezultati është realisht shumë më i thellë. As në makthin e tij më të keq Rama nuk ka mundur të përfytyrojë një humbje të tillë.
Kryeministrit tashmë i kanë rënë të gjitha alibitë dhe nuk ka më asnjë justifikim ku të kapet. Ai nuk mund të thotë më se opozita nuk hyn në zgjedhje ngaqë ka frikë se i humb ato. Ai nuk mund të thotë dot më as se aksioni i saj opozitar është një rrugë qorre, që po e çon atë drejt shkatërrimit. Përkundrazi, faktet tregojnë me kokëfortësi se veprimet e saj kanë rezultuar të suksesshme. E vetmja rrugë qorre është ajo e instalimit të një shteti autokratik e monopartiak, ku është futur qeveria. Këtë natyrisht që e kanë lexuar tashmë edhe ndërkombëtarët dhe doemos kjo do të reflektohet në zhvillimet e mëtejshme.
Vendimi për të mos ushtruar dhunë, dhe për ta lënë Ramën të shkojë paqësisht në këtë humbje, ishte gjëja e duhur, pavarësisht se kjo mund të ketë ardhur me ndikimin e presionit ndërkombëtar. Rama hyri në zgjedhje paqësisht dhe shkoi kovë pusi. Në asnjë rast tjetër opozita nuk do të kishte mundësi ta arrinte këtë fitore shkatërruese, nëse nuk do të kish hequr dorë nga pengimi i zgjedhjeve.
Nëse opozita do të kish sulmuar qendrat e votimit, do të kish hyrë në një spirale dhune, nga ku nuk do të dilte kurrsesi e fituar. Nëse ajo do të digjte disa qendra votimi e do të pengonte zgjedhjet në disa të tjera, nuk do të arrinte asgjë, pasi qeveria do t’i përsëriste ato në një tur të dytë, e më pas ndoshta një të tretë, derisa t’i mbyllte plotësisht. Dhuna, ndërkohë, mund të kishte pasoja mbi njerëz, ndërsa përkrahës dhe simpatizantë të opozitës do të hynin në burg. Veç kësaj, ndërkombëtarët do të kishin dalë me vendime ekstreme kundër opozitës dhe Rama do të legjitimonte veten, duke pretenduar se opozita nuk fiton dot pa dhunë. Kjo që ndodhi e asgjësoi plotësisht këtë dhe Rama doli i dërrmuar.
Gjatë gjithë ditës së votimeve, përfaqësues të qeverisë dhe përkrahës të saj në media dukeshin të shqetësuar prej faktit se në zgjedhje nuk kishte dhunë. Ata ishin përgatitur për një skenar ku do të mund të gjenin sebepin për të sulmuar opozitën. Por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe kjo ua dogji alibitë. Përpjekja e tyre për të përhapur idenë se tashmë Basha do të bjerë, pasi nuk i ndaloi dot këto zgjedhje, vetëm sa e shtoi komizmin. Në mënyrën më qesharake, qeveria po akuzonte tashmë opozitën pse nuk po ushtronte dhunë!
Histeria u kthye në shok në orët e fundit të votimeve, ku, megjithë raprezaljet e strukturave shtetërore për t’i nxjerrë njerëzit me dhunë në votime, dukej që rezultati nuk ngrihej dot më shumë se 21 përqind. Në PS ka mort dhe djersët çurg të kryeministrit gjatë konferencës treguan se as kondicionerët e as patetizmi i tij i sforcuar, në kërkim të dëshpëruar për pak optimizëm, nuk mund ta ulnin temperaturën. Ishte procesion i një funerali komik, ku vaji i një selie arrogante, të hermetizuar si një kullë e fildishtë nga realiteti i trishtë që ka prodhuar me duart e saj, shkrihej me gërnetën tallëse të protestuesve, që qesëndisnin një përpjekje çmendurake për të risjellë reminishenca nga diktatura, 30 vjet pas rrëzimit të saj me turp.
Epitafi i kësaj marrëzie mund të nxirret nga fjalët e vetë Gramoz Ruçit, kalorësit më të paepur të një politike që vjen nga fantazmat e atij regjimi: Nuk ka burrë nëne që të vendosë më diktaturën në Shqipëri!