Verën e vitit 2003, emri Cristiano Ronaldo ishte në listat e shumë klubeve të mëdha. Ai sapo kishte mbushur 18 vjeç, luante për Sportingun e Lisbonës dhe kishte fituar vend në përfaqësuesen e Portugalisë.
Më së shumti e kërkonte Arsenali. Valixhet për në Londër ishin gati, por transferimi dështoi. Trajneri Arsene Wenger do ta konsideronte pengun më të madh të karrierës së tij.
Fati i Ronaldos shenjohet më 6 gusht 2003, ditën kur ai luan ndeshjen më të rëndësishme të jetës.
Në Lisbonë atë mbrëmje përurohej me një ndeshje miqësore me Manchester United Stadiumi Jose Alvalade.
Trajneri i United-it, Sir Alex Ferguson kishte dëgjuar më parë për Ronaldon prej asistentit të tij, Carlos Queiroz, ish-trajner i Sportingut në vitet ’90. Ndeshja miqësore shihej si mundësia e duhur për të patur kontakte direkte.
Lojtarët e United-it vinin në atë ndeshje pas një turneu 3-javor në SHBA, ndërsa Ronaldo hidhet në fushë me fanellën me numrin 28. Me topin ndër këmbë ai nis të driblojë kundërshtarët me veprime tejet teknike, mes tyre e pësoi edhe Rio Ferdinand, të cilin një vit më përpara “Djajtë e Kuq” e kishin transferuar për 46 milionë euro nga Leeds United.
“Miqtë më thonin: “Cristiano, nëse luan mirë ndaj Manchesterit, e imagjinon dot, mund të kalosh tea ta.” Dhe unë u përgjigja me mosbesim, pasi ishte ende herët. Atë mbrëmje luajta jashtëzakonisht mirë…”
Cristiano Ronaldo.
Lojtari që vuajti më shumë kalimet e Ronaldos ishte John O’Shea, i angazhuar atë mbrëmje si mbrojtës krahu.
“E shihja Ronaldon të rrëmbente gjithmonë topin e t’ia sillte mendien vërdallë Johnit… më vinte ca për të qeshur.”
Ryan Giggs.
Sportingu e fiton ndeshjen (3-1) dhe Mikaël Silvestre, i angazhuar edhe ai si mbrojtës atë mbrëmje, do të thoshte:
“Në fillim askush nuk e njihte Ronaldon, pas asaj ndeshje të gjithë flisnin për të.”
Pas ndeshjes, lojtarët e United-it, pritën më shumë se zakonisht për t’u larguar nga stadiumi. Ferguson nuk largohet pa bindur Ronaldon të transferohet menjëherë në Manchester.
Për Fernando Santos, asokohe trajner i Sportingut të Lisbonës, ishte një humbje e madhe.
“Ronaldo më habiste kur luante me ne te Sportingu… nuk duhej ta kisha aktivizuar kundër Manchester United-it, sepse prej asaj mbrëmjeje e humbëm.”
Manchester United pagoi 17 milionë euro dhe 7 ditë më vonë Ronaldo debutoi në Old Trafford kundër Boltonit. Në shpatulla mbante numrin 7, numër të lëshuar nga Beckham, i cili ishte transferuar te Reali i Madridit për 38 milionë euro.
Ronaldo nuk shënoi në atë ndeshje, por i la të gjithë gojëhapur me numrat e tij teknikë.
“Ishte një debutim i mrekullueshëm, pothuajse i jashtëzakonshëm.”
Sir Alex Ferguson.
“Ishte debutimi më emocionues që kam parë ndonjëherë.”
George Best.
Që atëherë në botën e futbollit njihet me inicialet CR7. Ai ka mundur të fitojë 5 vlerësime me Topin e Artë, 5 tituj të Champions League, dhjetëra tituj me Manchester United. Real Madrid e Juventus, 1 Kupë Evrope dhe 1 Kupë Lige të Kombeve me Portugalinë.
Përkthyer dhe përshtatur nga La Repubblica.