Monika Kryemadhi kërkon falje, por a duhet besuar?

Nga Elvis Ballauri
Monika Kryemadhi kërkon falje, por a duhet besuar?

Monika Kryemadhi, kryetarja e sapozgjedhur e Lëvizjes Socialiste për Integrim, pranoi dhe listoi dje të gjithë problematikat e qeverisjes Rama-Meta.

Gjatë Konvestës Zgjedhore ku Zonja Kryemadhi u zjgodh dhe kryetare e LSI, ajo “i kërkoi falje” mbështetësve të kësaj parti se nuk e ka ngritur zërin aq sa duhej për gjërat që nuk shkonin gjatë këtyre viteve:

“Ju kërkoj falje për pjesën tonë të bashkëqeverisjes me Edi Ramën. Ne nuk folëm hapur dhe qartë që kur nisëm të konstatonim se shqiptarët po keqqeveriseshi.

Ky ishte gabimi ynë që nuk reaguam fort që kur nisëm të konstatonim që Shqipëria po kthehej në plantacion droge, ne nuk e ngritëm zërin sa duhet kur Shqipëria po jepej e gjitha me koncesion, duhet ta kishim parandaluar këtë qoftë edhe me masa ekstreme duke bojkotuar Parlamentin.

Ne heshtëm kur me paratë e oligarkëve Edi Rama i mbyllte gojën çdo media që denonconte krimin dhe korrupsionin.

Ne nuk reaguam sa duhet për reformën në arsimin e lartë. Ne mbyllëmm sytë e veshët kur shihnim se qindra shqiptarë ndaloheshin nga policia se nuk kishin mundësi të paguanin energjinë, ndërsa oligarkët kanë ende miliona të papaguara. Për këtë ne sot mbajmë përgjegjësi. Nuk është turp të pranosh gabimet, por turpi është i atyre që shkatërruan Shqipërinë.”

Për të gjitha këto “gabime” Zonja Kryemadhi përdori si shfajësim “respektin për marrëveshjen me Partinë Socialiste.”

“E bëmë këtë në emër të fjalës së dhënë, për të respektuar marrëveshjen që kishim për të qeverisur bashkë me socialistët.”

Në fund Monika Kryemadhi premtoi se do të ishin partia më opozitare në kuvendin e ardhshëm:

“Edi Rama me paratë e drogës mund të blejë opozitën e deritanishme, mund të blejë dhe ndonjë ndërkombëtar. Por me gjithë paratë e krimit të rruzullit tokësor heshtjen e LSI kurrë nuk ka për ta blerë.”

Në disa intervista të mëparshme, Zonja Kryemadhi dhe ish-kryetari Zoti Meta sërish kanë theksuar se LSI ka qenë besnike e marrëveshjes me PS-në, duke e reklamuar këtë gjë si vlerë të partisë. Por natyrshëm lindin disa pyetje:

Ndaj kujt duhet të jetë besnike një parti: ndaj interesave të ngushtë të saj dhe partive të tjera aleate apo ndaj qytetarëve dhe mirëqeverisjes?

Në këmbim të çfarë gjëje LSI ka zgjedhur heshtjen për katër vite, kur në vend paskan ndodhur të gjithë këto ngjarje që LSI i denoncon tani?

Sa duhet besuar ndjesa e Kryetares së LSI-së dhe premtimi për një opozitë të fortë kur edhe më parë kjo forcë nuk ka qenë “besnike” ndaj qytetarëve por është “shitur” ndaj marrëveshjeve partiake?

Sa e besueshme mund të jetë LSI si opozitë kur shumë nga reformat që do të vazhdojnë në mandatin e dytë të Edi Ramës janë miratuar me votat e LSI?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>