Monitoruesit për Shqipërinë në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës (AP-KiE) i bënë sot thirrje opozitës në Shqipëri që të rishikojnë vendimin për lënien e mandateve. Andrej Hunko, deputet i majtë gjerman, dhe Joseph O’Reilly, deputet i djathtë irlandez, i bënë thirrje edhe maxhorancës që t’i sigurojë opozitës hapësirën e duhur për të funksionuar, si dhe të lejojë dialog të mirëfilltë me opozitën për reformat dhe qeverisjen e vendit.
AP-KiE është parlamenti i Këshillit të Evropës (KiE), organizatës që përbëhet nga 47 vende anëtare. KiE synon mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit ligjor.
Dy monitoruesit për Shqipërinë thanë se në shoqëritë demokratike debati politik, dialogu dhe rrahja e mendimeve bëhen në parlament, ku duhet të jenë edhe deputetët.
Ata shprehën vlerësimin e tyre pozitiv për natyrën paqësore të protestës së opozitës dhe i bënë thirrje palëve ta zgjidhin krizën politike përmes parlamentit dhe frymës së besimit ndaj njëra-tjetrës.
Opozita dha dorëheqjen nga mandatet, pasi vlerëson se zgjedhjet elektorale, si një ndër kushtet bazike për një shoqëri demokratike, janë blerë në vitin 2017 nga partia socialiste në bashkëpunim me krimin e organizuar. Opozita, gjithashtu, vlerëson se ekuilibri midis tre pushteteve në Shqipëri – qeveri, parlament dhe sistem i drejtësisë – ka marrë goditje të rëndë dhe shteti është përqendruar në masë të madhe në e duart e Kryeministrit Edi Rama.