Moody’s: Partneritetet Publike-Private përbëjnë rrezik për ekonominë shqiptare

Moody’s: Partneritetet Publike-Private përbëjnë rrezik për ekonominë shqiptare

Partneritetet Publike-Private dhe borxhi i lartë publik janë problemet kryesore të ekonomisë në Shqipëri.

Në raportin e përvitshëm, Moody’s, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të riskut të kreditimi të ekonomive, vlerëson për të tretin vit radhazi me të  njëjtën notë B1 Shqipërinë. B1 është zakonisht vlerësimi më i ulët i sigurisë, por që tregon një nivel relativisht të qëndrueshëm të vendit.

Ndryshe nga një vit më parë, kur Moody’s nuk fliste hapur për problemet e kontratave PPP, këtë vit në raport flitet për risqet që kanë këto kontrata në një vend si Shqipëria, ku ka probleme me sundimin e ligjit, kontrollin e luftimin e korrupsionit dhe mungesën e burimeve për të bërë analizën e plotë të risqeve dhe përfitimeve.

Të tjera rreziqe për të cilat Moody’s paralajmëron qeverinë janë:

 – Borxhi i lartë publik, që megjithëse ka pësuar rënie, vazhdon të jetë rreth 70 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto;

 – Rreziku se Investimet e Huaja Direkte do të ulen në vitet në vazhdim është i madh, ndaj bëhet urgjente tërheqja e IHD-ve të reja;

 – Rreziqet fiskale janë të pranishme veçanërisht në sektorin e energjisë elektrike;

 – Kreditë e këqija (NPL) vazhdojnë të zënë shumë vend në grupin e kredive. Më shumë se gjysma e kredive janë të shprehura në monedhë të huaj, duke rritur edhe më tej shqetësimin;

 – Niveli i lartë i kredive të këqija ul besueshmërinë e bankave, pengon kreditimin dhe kufizon rimëkëmbjen ekonomike.

Më herët këtë vit, për rrezikun e lartë që sjellin kontratat PPP, të cilat qeveria Rama po i jep pa kontroll, kanë folur dhe Kreu i ri Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë, Jan Kees Martijn dhe kreu i BERZH në Shqipëri, Matteo Colangeli.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>