Tregtarë e qytetarë nga Shqipëria dhe Kosova protestuan sot në Morinë kundër vendimit të qeverisë për vendosjen e tarifave për kalimin e rrugës Milot-Morinë.
Tregëtarët shprehen se tarifat prej 11,2 – 22,5 euro për autobuzët e kamionët, vetëm për një rrugë, do të ndikojë shumë në rritjen e shpenzimeve për to, e më pas dhe në rritjen e çmimeve në treg.
Në shenjë proteste, duke simbolizuar se tregtarët e Kosovës nuk do të sjellin më produkte në Shqipëri, 150 kamionë bosh parakaluan në rrugën Milot-Morinë.
Tregtarët, kryesisht të hekurit, kripës dhe produkteve të tjera thanë se qeveria me këto tarifa po vë barriera mes dy vendeve, ndryshe nga qëllimi fillestar i ndërtimit të rrugës.
Vendimi për vendosjen e tarifave për kalimin e rrugës Milot-Morinë u mor para pak ditësh nga Qeveria Rama, sipas kontratës me kompaninë koncesionare që menaxhon rrugën.
Më saktësisht tarifat janë këto:
– Motorët do të paguajnë 2,5 euro për çdo kalim, pra 5 euro vajtje-ardhje;
– Autoveturat do të paguajnë 5 euro për çdo kalim, pra 10 euro vajtje-ardhje;
– Autobusët dhe kamionçinat do të paguajnë 11,2 euro për çdo kalim, pra 22,4 euro vajtje-ardhje;
– Kamionët e mesëm do të paguajnë 16,2 euro për çdo kalim, pra 32,4 euro vajtje-ardhje;
– Kamionët e rëndë do të paguajnë 22,5 euro për çdo kalim, pra 45 euro vajtje-ardhje.