Gent Cakaj, Zëvendësministri i Jashtëm bisedoi, dje në mbrëmje, me gazetarin Sokol Balla në studion e emisionit “RealStory” në News24. Temat kryesore të intervistës ishin reforma në diplomaci, hapja e bisedimeve me BE-në, shengeni ballkanik, si dhe reforma në drejtësi.
Për krijimin e zonës së “shengenit ballkanit“, Cakaj shpjegoi se qëllimi i saj është lehtësimi i barrierave kufitare dhe burokratike. Sipas, tij kjo “nuk ka asnjë lidhje me krijimin e një Jugosllavie të re dhe as me zëvendësimin e procesit të integrimit në Bashkimin Europian”.
Për hapjen e bisedimeve, ai u shpreh se vendimi i BE-së nuk ka lidhje me Shqipërinë por me problemet e brendshme të BE-së. Cakaj njësoj si Ministri i Jashtëm Rama u shpreh se “edhe nëse nuk hapen negociatat, dielli do të lindë sërish”. Ai tha se vendimi për mos hapjen e negociatave nuk vjen për shkak të qeverisë shqiptare:
“Nëse Presidenti i Francës deklaron se nuk është çështje e dy vendeve, por është çështje e brendshme e BE, ku është përgjegjësia e Qeverive në Tiranë dhe në Shkup? Hapja e negociatave nuk është interes që i takon vetëm qeverisë, por të gjitha palëve”.
Madje, Cakaj tha se kushtet e vendosura nga bundestagu nuk kanë lidhje me kërkesat e opozitës por “kanë të bëjnë me platformën që BE ka bërë për Shqipërinë. Këto janë pako të ardhura për shkak të reformës në drejtësi”.
Ai tha se “të gjitha çështjet që janë kërkuar dhe që kanë qenë në dorë të qeverisë janë kryer”. Ndërsa “reforma zgjedhore kërkon angazhim edhe të opozitës parlamentare dhe jashtë-parlamentare. Në këtë pikëpamje, hapja e negociatave kërkon angazhimin e të gjitha palëve politike”.
Pyetjes së gazetarit Balla, nëse është arrestuar ndonjë peshk i madh për korrupsioni, Cakaj iu përgjigj:
“Është më e ndërlikuar se sa përmendja e një emri. Diskutimi për emrat e mëdhenj është i dobishëm, por KE vlerëson nëse, dhe ai ndaj është njësia matëse, thjesht lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka qenë në shkallën e duhur për të merituar çeljen e negociatave. Dhe në matjen e tyre kjo është bërë në shkallën e duhur. KE bën vlerësim mbi të dhënat konkrete mbi progresin e vendit, bazuar në shkallën ku qëndron vendi në raport me Evropën”.