(Mos)integrimi europian dhe (mos)reagimi ynë

Nga Enes Haxhia
(Mos)integrimi europian dhe (mos)reagimi ynë

Sipas të dhënave nga Komisioni Europian, mësohet se vala tjetër e zgjerimit do të jetë 2025 dhe vendet që do të përfitojnë nga ky veprim do të jenë Mali i Zi dhe Serbia. Ndërsa, po në të njëjtin document kur flitet për Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnjën dhe Kosovën, thuhet se pritet që këto vende të fillojnë bisedimet.

Në Shqipëri, kjo u bë e njohur shumë pak përmes disa mediave që nuk janë në kontrollin qeveritar dhe asgjë më shumë. Askush nuk reagoi, askush nuk komentoi e kështu me rradhë, një tjetër ngjarje që shkon në dëm të vendit kalohet pa u ndjerë. Them një tjetër ngjarje se kanë qenë të shumta që në 27 vjet qeveritë kanë bërë kundra interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve, por reagimi ka qenë shumë i vogël për të mos thënë s’ka pas aspak.

Këtu nuk dua të hyj në ato komentet se pse një republikë e vogël si Mali i Zi, megjithë problem e saj të mëdha po arrin me shpejtësi të integrohet dhe të realizojë ëndrrat e qytetarëve të saj, nuk po komentoj as se si Serbia, që përgjatë 10 vjetëve ishte e përfshirë direkt në luftrat ish-Jugosllave dhe përsëri po arrin të integrohet më shpejt se ne. Ajo çfarë dua të komentoj është se si ka mundësi që një popull që pretendon se është më pro europian se të gjithë të tjetërt në rajon nuk reagon.

Nuk e kujtoj mirë kohën, por besoj se ka qenë viti 1995 kur për herë të parw është realizuar një sondazh me qytetarët shqiptarë për të shikuar optimizmin kundrejt integrimit europian. Rezultati, në fillim ka qenë befasues për këdo rreth 95-96 përqind e të anketuarve donin që Shqipëria të ishte pjesë e Komunitetit Europian në atë kohë, sot Bashkimit Europian. Edhe vitet e fundit sondazhe të ndryshme kanë publikuar gjetjet e tyre dhe edhe pse ka një rënie të këtij numri shqiptarësh në favour të integrimit, ai përsëri mbetet shumë i lartë diku tek 92-93 përqind.

Krahasuar kjo me Serbinë për shembull, që në sondazhin e 2012 rezultonte se 47 përqind e popullsisë ishte në favour të integrimit Europian, as që diskutohet dëshira e madhe e shqiptarëve për tu integruar.  Mirëpo, shohim një kontraditë shumë të madhe mes dëshirës së madhe dhe asaj çfarë realiteti është. Qeveritë shqiptare, sidomos kjo e Rilindjes, jo vetëm e minoi rrugën dhe dëshirën e madhe të shqiptarëve, por e la atë shumë mbrapa duke shkuar drejt të panjohurës lidhur me procesin e integrimit europian. Edhe pse po ndodh kjo përsëri nuk shoh reagim qytetar, në një vend tjetër që ka kaq shumë dëshirë për tu integruar në Europë, siç rezultat e sondazheve sygjerojnë, do të mjaftonte shumë më pak për ta rrëzuar me protesta qytetare qeverinë që pengon rrugën tonë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>