Moska nis vaksinimin masiv

Nga Exit News
Moska nis vaksinimin masiv

Moska ka nisur vaksinimin masiv kundër sëmundjes COVID-19 përmes vaksinës Sputnik. Njoftimi i sotëm i task forcës së Moskës për koronavirusin, vjen pas kritikave se vaksina ruse ende nuk ka kryer studimet e avancuara që duhen për t’u siguruar se ajo është efektive dhe e sigurt sipas protokolleve të vendosura nga shkencëtarët.

Autoritetet ruse thanë se vaksina fillimisht do t’iu jepet punëtorëve shëndetësorë, mësuesve dhe punëtorëve socialë, sepse sipas autoriteteve, kjo kategori e shoqërisë është më e ekspozuar ndaj virusit.

Njerëzit që kanë sëmundje të ndryshme, gratë shtatzëna dhe personat që kanë pasur sëmundje të frymëmarrjes në dy javët e fundit, do të ndalohen që ta marrin vaksinën tash për thash. Mosha e personave që do të vaksinohen është kufizuar në 60 vjeç.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin tha se “në pesë orët e para, 5,000 njerëz janë paraqitur për ta marrë vaksinën”.

Qeveria thotë se vaksina Sputnik V do të jetë falas për të gjithë qytetarët rusë. Kjo vaksinë administrohet përmes dy dozave dhe doza e dytë e vaksinës pritet që t’iu jepet qytetarëve 21 ditë, pasi të kenë marrë dozën e parë.

Qeveria ruse ka miratuar përdorimin e vaksinës Sputnik V në fillim të gushtit, veprim ky që u kritikua nga ekspertët të cilët atëbotë thanë se kjo vaksinë ishte testuar vetëm në disa dhjetëra persona.

Presidenti rus, Vladimir Putin atëbotë tha se një ndër personat e parë që morën vaksinën ishte edhe njëra nga vajzat e tij.

Më 2 dhjetor, ministri rus i Shëndetësisë, Mikhail Murashko deklaroi se mbi 100,000 persona në Rusi kanë marrë dozë të vaksinës.

Rusia ka regjistruar numër të lartë të rasteve të reja me COVID-19 më 5 dhjetor, përkatësisht 28,782 raste. Numri i përgjithshëm i rasteve, që kur është paraqitur pandemia në këtë shtet është 2,431,731. Prej tyre, 42,684 pacientë kanë vdekur.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>