Mosdekretimi i shkarkimit të Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe kthimi i kandidaturës së Gent Cakajt ka kthyer edhe njëherë debatin lidhur me shtrirjen e kompetencave të Presidentit të Republikës.
Mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit është krijuar një ngërç politik dhe juridik. Në këto kushte, sot Kryeministri Rama bëri një zgjedhje të përkohshme, duke emëruar veten e tij në krye të Ministrisë së Jashtme. Këtë ai e bëri të ditur nëpërmjet rrjetit social Twitter, ku u shpreh:
“Presidenti s’e ka çdekretuar [sic] Ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues.Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese.Deri atë ditë që vjen shumë shpejt,do të jem de jure në këtë rol sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit.”
Pohimi i Kryeministrit Rama, por edhe situata e krijuar javët e fundit me (mos)dekretimet, tregon se jemi përballë një mosmarrëveshjeje për ushtrimin e veprimtarisë së Presidentit të Republikës. Pra, një mosmarrëveshje në lidhje me atë nëse Presidenti ka apo jo kompetencë të kthejë një propozim të Kryeministrit për ministër.
Sipas Kushtetutës, institucioni që shqyrton këtë lloj mosmarrëveshjeje është Gjykata Kushtetuese (GJK).
Gjykata Kushtetuese sot është jashtë funksionit. Nga nëntë anëtarët e saj, vetëm Vitore Tusha ka arritur të kalojë procesin e vetingut. Së fundmi, kryetari i kësaj gjykate, Bashkim Dedja, u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA).
Shkarkimi i Dedjes nuk ka nxjerrë jashtë funksionit vetëm GJK, por ai ka bllokuar edhe funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). KED ka si funksion kryesor renditjen e kandidatëve për në Gjykatët Kushtetuese dhe Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë (ILD).
Tashmë KED ka mbetur me shtatë anëtarë, katër prej të cilëve nuk kanë kaluar ende procesin e vetingut.
Kështu KED nuk mund të mblidhet dhe as të marrë vendime, për shkak të mungesës së kuorumit, pasi ligji përcakton kuorumin prej pesë anëtarësh për marrjen e vendimeve.
Pra, mosfunksionimi i KED bllokon krijimin e Gjykatës Kushtetuese.
Le të ndalemi tek mosmarrëveshja mes Kryeministrit dhe Presidentit. Neni 55 i ligjit për Gjykatën Kushtuese përcakton se kjo gjykatë mund ta shqyrtojë një marrëveshje të tillë brenda afatit gjashtëmujor që nga çasti i lindjes së saj. Kjo do të thotë se, nëse Gjykata Kushtetuese nuk është në gjendje ta shqyrtojë këtë mosmarrëveshje deri në muajin qershor 2019, atëherë ajo nuk ka të drejtë ta shqyrtojë më.
Për arsyet e renditura më sipër, gjasat për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese përpara muajit qershor, brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, janë zero.
Kryeministri Rama, përkundër mesazhit të tij në Twiiter dje, nuk do të ketë mundësi të ballafaqohet me Presidentin Meta në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me këtë mosmarrëveshje. Kryeministri sigurisht që e di këtë.