Në Shqipëri ambientalistët dhe qytetarët janë ngritur kundër ndërtimit të hidrocentraleve të reja në lumenjtë e vendit. Ujrat e fundit natyrore në Evropë janë rrezik, e bashkë me to dhe habitate të rrallë.
Media gjermane Spiegel, në një artikull të sajin flet për vizitën dhe studimin e dy biologëve nga Instituti i Hidrobiologjisë dhe Menaxhiit të Ekosistemve Ujorë në Vienë, në lumin e vjosës në Shqipëri. Ndër të tjera në artikull shkruhet:
Lugina e Vjosës, rreth 50 kilometra përpara grykës së Adriatikut, është si parajsë. Asnjë rrugë apo urë nuk e pengon apo ndërpret pamjen piktoreske prej 270 kilometrash të Vjosës e degëve të saj.
Kodra e male ngjiten në krah të saj, madje në maja vihet re ende dëbora edhe pse jemi në muajin maj. Ullishte rriten në shpatet e tyre.
Por kjo pamje piktoreske në jug të Shqipërisë është në rrezik. Në Poçem, ku njëri prej biologëve, Paul Meulenbroek nxjerr njëri pas tjetrit disa peshq nga uji, do të ndërtohet së shpejti diga e një hidrocentrali. Habitati tipik i peshkut të lumit do të shkatërrohej, shumë lloje të tjera të gjallesave e bimëve që rriten aty rrezikojnë të zhduken. Vetë banorët që jetojnë e ushqehen nga ky lumë rrezikojnë të humbasin jetesën e tyre.
Shqipëria nuk është ende anëtare e Bashkimit Evropian, por një Vendim për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis për ndërtimin e hidrocentraleve kërkohet nga ligji edhe këtu.
Kompania turke Kovlu Energji, që do të ndërtojë hidrocentralin, në të vërtetë e ka paraqitur një dokument të tillë. Ai u hartua nga një kompani konsulence private në Tiranë. Por për profesorin e zoologjisë në universitetin e Vienës, Friesdrich Schiemer, dokumenti është thjeshtë një karikaturë e kopjuar.
“Dokumenti përbëhet kryesisht nga pasazhe të kopjuara nga opinione ekspertësh të ndryshëm dhe nuk është bërë asnjëherë ndonjë studim në terren.”
Së bashku me kolegë të tjerë Schiemer ka organizuar një inventar të florës dhe faunës – mbështetur nga organizatat në mbrojtje të mjedisit, Riverwatch nga Viena dhe EcoAlbania nga Tirana. 30 studiues e shkenëtarë nga Austria, Gjermania dhe Shqipëria kanë punuar në luginën e Vjosës.
“Kam pasur vetëm një ide të përafërt se çfarë speciesh mund të jetonin këtu”, shprehet bilogou Meulenbroek. Ai ka kapur më shumë se 20 lloje të ndryshme peshqish brenda tri ditësh – duke përfshirë ngjala, barbale dhe baleta, si dhe peshq që zakonisht nuk jetojnë në lumenj. Ai nuk e njeh shumicën e specieve. Pothuajse të gjitha kafshët lëshohen pas një studimi të shkurtër. Nëse diga do ishte ndërtuar tashmë, asnjë nga peshqit nuk do të rritej më aty.
Fakti që studiues nga Gjermani e Austria luftojnë në Shqipëri për lumenjtë natyror është paksa ironike. Lumenjtë në vendet e tyre, Danubi, Maini e të tjerë janë betonizuar deri në atë pikë sa pothuaj nuk njihen më si vendbanime të specieve.
“Vetëm gjatë 20,30 viteve të fundit kemi filluar të kuptojmë rëndësinë që kanë për natyrën, lumenjtë e paprekur”, shprehen biologët.
“Duam të parandalojmë që shqiptarët të përsërisin të njëjtat gabime që ne kemi bërë në të shkuarën.”