Ish lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha të martën se në fitoren e Vetëvendosjes nuk ndikoi bashkimi i Vjosa Osmanit.
Sipas tij LDK nuk ka bërë gabim që ka prishur koalicionin me Vetëvendosjen “sepse kemi bërë për të ruajtur marrëdhëniet strategjike me SHBA-në dhe për të ruajtur dinjitetin e partisë tonë, dhe tonën vetë”.
“Derisa kemi zhvilluar fushatë s’kemi pasur asnjë sinjal që ka ndikuar Vjosa Osmani në rënien e LDK-së, vota jonë ka shkuar në VV, njerëzit që kanë votuar para një viti e gjysmë kanë votuar Vetëvendosjen”, tha Mustafa.
Isa Mustafa dha dorëheqjen pas rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë.
Mustafa kërkoi nisjen e procedurave për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.
LDK morri 13 përqind të votave, duke u renditur partia e 3-të në vend. Ky eshtë rezultati më i keq i arritur nga LDK. Zgjedhjet në Kosovë u fituan nga Lëvizja Vetëvendosje me mbi 48%, ndërsa parti e 2-të u rendit PDK-ja me 17,36 %.