Shkatërrimi i ngutshëm i ndërtesës së teatrit kombëtar me hapa e veprime që shkojnë ndesh me ligjet e rregulloret në fuqi si në kushtet kur kompania e dyshimtë investitore është tërhequr nga projekti u duk më shumë një demonstrim force. Ai veprim i ndërmarrë në kundërshtim me komunitetin e artistëve e të shumë qytetarëve që protestuan për vite me radhë, la përshtypjen e hidhur se qeveria e bëri atë veprim vetëm sepse mundet.
Kjo sjellje të kujton një sllogan me autor anonim që qarkullon viteve të fundit në internet e cilat thotë “Unë e bëj atë sepse mundem, mundem sepse dua, dua sepse ti me the që unë nuk mund ta bëja dot”. Pra qe një manifestim ekstrem i kryeneçësisë, arbitraritetit dhe arrogancës së pushtetit.
Ajo që e bën edhe më të turpshme shëmbjen është fakti që ndërhyrja e shkatërrimit të teatrit ndodhi në të njëjtën kohë me gjendjen e jashtëzakonshme të pandemisë së koronavirusit. Gjendja e jashtëzakonshme e vendosur për cilindo shkak, konsiderohet në gjithë botën si një nga mjetet më të rrezikshme të pushtetit sepse i mundëson në mënyrë ligjore qeverisë që të kufizojë të drejtat themelore të njëriut. Gjendja e jashtëzakonshme nuk është një dritë jeshile për të ndërmarrë çfarëdo veprimi të pakufizuar.
Përkundrazi, gjendja e emergjencës shpallet vetëm prej nevojave imediate të pashmangshme dhe përpiqet që kjo situatë të prekë sa më pak që të jetë e mundshme, të drejtat e qytetarëve. Pra la vërtetë një shije të hidhur fakti që shëmbja u bë gjatë ndalim-qarkullimit, duke shfrytëzuar emergjencën e pandemisë për të penguar qytetarët që të protestonin masivisht.
E gjithë kjo situatë shtoi hijen e madhe të mosbesimit të qytetarëve tek sistemi ynë politik dhe tek demokracia e degraduar shqiptare. Shpesh demokracia trajtohet vetëm në mënyrë të thjeshtë si “sundim i shumicës” duke harruar që ajo mund të përbëjë edhe një “tirani e shumicës” (sikurse thoshte Alexis de Tocqueville) e cila mund të nëpër këmbë të drejtat e individit apo pakicave.
Prandaj vullneti i një kryeministri që ka ardhur në fuqi prej shumicës së votave nuk duhet konsideruar medoemos si demokraci. Demokracia nuk duhet parë vetëm si qeverisja nëpërmjet vullnetit të shumicës por si sistem që përmban një set kompleks procedurash, vlerash e rregullash.
Kështu për shembull një ndër politologët më të njohur në botë, Robert A. Dahl, parashtron gjashtë kritere për demokracinë ku përmenden zyrtarë të zgjedhur; zgjedhje të lira, të ndershme dhe të shpeshta; liria e shprehjes; burime alternative të informacionit; liria për t’u organizuar; dhe qytetari të gjithëpërfshirë e të angazhuar. Ngjashëm me të, një tjetër studiues i njohur i shkencave politike, Larry Diamond përmend si kritere të demokracisë: tolerancën, barazinë, liritë individuale, lirinë e shtypit, lirinë e fjalës, zgjedhjet e lira, zyrtarët e zgjedhur, llogaridhënien dhe sundimin e ligjit.
Mirëpo që demokracia të funksionojë përveç kritereve të përmendura më sipër, duhet edhe që qeveritarët të kenë disa tipare të veçanta të vetë-përmbajtjes, vullnetit të mirë e moderimit si pjesë thelbësore përbërëse të kulturës së tyre politike. Këto tipare janë elaboruar më së miri nga studiuesit Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt në një libër të suksesshëm të titulluar “Përse Vdesin Demokracitë”. Ata kanë vënë re një fenomen interesant të demokracive që i shtyu të shkruajnë këtë libër.
Ky fenomen kishte të bënte me faktin se që prej fundit të Luftës së Ftohtë, rrëzimi i shumë demokracive nuk kishte ardhur nga jashtë, si pasojë e grushteve të shtetit apo puçeve të dhunshme ushtarake, por nga brenda, si posojë e kapjes së institucioneve demokratike prej autokratëve që kishin ardhur në pushtet me vota. Sipas tyre çelësi i suksesit të qëndrueshmërisë së demokracisë amerikane ishin dy norma, tolerancë e ndërsjellë dhe vetëpërmbajtja institucionale.
Norma e parë ka të bëj me respektimin e diversitetit politik dhe njohjen e legjitimitetit të kundërshtarëve politikë për të garuar për pushtet përmes procesit demokratik. Nëse rivalët trajtohen si armiq apo tradhëtarë që duhen asgjësuar dhe bëhen përpjekje të pandershme e abuzive për të penguar me çdo kusht rotacionin e pushtetit, atëhere jeta politike bëhet konfliktuale dhe lufta politike shndërrohet në një çështje për jetë a vdekje.
Prandaj nuk është rastësi që jeta politike shqiptare është tejet e tensionuar, e karakterizuar me konfliktualitet, mungesë stabiliteti protesta të dhunshme e përplasje periodike.
Norma e dytë është e lidhur ngushtë me nevojën për të pasur vetë-kontroll apo vetë-përmbajtje gjatë ushtrimit të pushtetit. Pra është e dëshirueshme që pushtetarët të kenë një sens të masës dhe mos të përdorin fuqinë apo autoritetin ligjor që ata kanë qëllimisht në kurriz të një tjetri.
Pra edhe nëse ligji mund t’ua lejojë, pushtetarët duhet të kenë bon-sensin që të mos përdorin çdo instrument të mundshëm për interesat e tyre politikë. Mënyra sesi u shkatërrua teatri jo vetëm që nuk flet për kulturë demokratike të vetë-përmbajtjes dhe sensit të masës por për tejkalim kompetencash e tendenca despotike.
Nevoja për këto dy këto norma kërkojnë nga liderët politik që të bëjnë çmos për të frenuar pasionet, bllokuar inatet, zbutur emocionet, e moderuar qëndrimet në mënyrë që të arrihet një konsensus sa më i madh e një mirëkuptim sa më i gjerë. Vetëm duke respektuar mund të sigurohet bashkëjetesa dhe qetësia e brendshme në kushtet e pluralizmit politik.
Me pak fjalë demokracia kërkon nga liderët politik që të shkohet përtej ambicieve, inateve apo dëshirës për hakmarrje në mënyrë drejt tolerancës e vetë-përmbajtjes në mënyrë që të arrihet maksimumi i përmbushjes së interesit publik. Mungesa e këtyre dy normave nuk përbën gjë tjetër përveçse një recetë për të gatuar tiraninë e radhës mes tranzicioneve të pasuksesshme të botës postkomuniste.