Mungojnë avokatët, shtyhet sërish gjyqi për trafikun e 613 kilogramëve kokainë

Nga Gerard Gega
Mungojnë avokatët, shtyhet sërish gjyqi për trafikun e 613 kilogramëve kokainë

Gjykata e Krimeve të Rënda shtyu sërish sot seancën ndaj të akuzuarve për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë Arbër Çekaj, Donald Lushaj dhe Armando Pezaku. Sërish shkak për shtytjen u bë mungesa e avokatëve.

Rreth një javë më parë, Gjykata pati vendosur që të mbahej sot seanca për dhënien e pretencës ndaj të akuzuarve. Më 29 tetor seanca qe shtyrë për mungesën e avokatëve mbrojtës. Një prej avokatëve është Maks Haxhia, i cili së fundmi ka qenë me gjëndje jo të mirë shëndetësore.

Si fillim seanca e sotme vonoi të niste pasi kryesuesja e trupit gjykues, Daniela Shirka, duhej të ishte prezente përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të marrë vlerësimin përfundimtar të vetingut. KPK vendosi ta konfirmonte atë në detyrë.

Më vonë, me rreth 30 minuta vonesë, nisi seanca për çështjen e 613 kilogramëve kokainë, por ajo nuk zgjati shumë pasi u shty sërish për mungesën e avokatëve. Seanca e radhës ndaj Çekajt, Lushajt dhe Pezakut është fiksuar më 20 nëntor.

Ndaj 3 të pandehurve është ngritur akuza për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë, sasi e cila u kap në shkurt 2018. Ngarkesa ishte kryer nga kompania Arbi Garden, e cila zotërohej nga Arbër Çekaj. Ky i fundit u arrestua në Gjermani dhe u ekstradua më 19 shtator 2019.

Dy të akuzuarit e tjerë, Donald Lushaj dhe Armando Pezaku u arrestuan në flagrancë teksa po drejtonin kamionin me ngarkesën e drogës drejt një magazine në Maminas.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>