Kryetari i grupit Demokrat, Myslym Murrizi e akuzoi shumicën socialiste se nuk mund të shkarkonte Presidentit Ilir Meta, sepse e ka “ortak”.
“Pse nuk e shkarkoni dot ju njëri tjetrin, se jeni bijtë e së njëjtës nënë dhe ortakë, si mund ta shkarkoni ju zv/ kryeministrin dhe më pas kryeministrin deri kur krijoi LSI-në. Si mund të shkarkoni ju ortakun e 1 prillit, te aleanca e Lalzit. A shkarkohet ai që u mori 50% pushtet, dhe para se të ikte e dorovitët me 40 mln euro shkarje dheu te rruga e Elbasanit. Ju keni qenë bashkë me atë dhe jeni ortakë të mrekullueshëm”.
Ai e akuzoi PS se e ngriti komisionin hetimor vetëm për të kënaqur militantët, duke qënë se nuk ka pasur asnjëherë qëllim shkarkimin e presidentit.
“Ju e ngritët komisionin për të ngritur adrenalinën e militantëve, ai ua ktheu në 2 mars. Ulsiu u nis të shkarkojë Metën, por pas kësaj ose shkarkohet Ulsiu ose anëtarët e këtij komisioni”.
“Unë nuk kam asgjë me Metën, e vlerësoj për prillin e 2008. Shpresoj të përshëndesë 30 korrikun dhe të mos fshihet pas guidave turistike”, përfundoi fjalën e tij Murrizi.