Mustafa nuk dëgjon dëshminë kundër tij, largohet nga seanca

Nga Exit News
Mustafa nuk dëgjon dëshminë kundër tij, largohet nga seanca

Salih Mustafa, ish-drejtues i UÇK-së nuk do të jetë I pranishëm gjatë dhënies së dëshmisë së dëshmitarit të parë, të hënën, në Hagë.

Mustafa ishte i pranishëm në pjesën e parë të dëshmisë e më pas ka kërkuar të dëgjojë dëshminë përmes vidoelidhjes.

Këtë e ka bërë të ditur avokati i Mustafës, Julius von Bone, i cili tha se klienti i tij do kthehet në sallë pasi të përfundojë dëshmia e dëshmitarit, njofton Koha.net.

Dëshmitari i parë tregoi se u dhunua nga persona të UÇK-së, në Zllash. Ai i ka thënë Prokurorisë se i është vendosur një thes i zi në kokë dhe është sulmuar.

“Njëri më dha një çokollatë, unë nuk doja, por insistonin, dhe kur e mora, e futa në gojë, më goditi boks në gojë, m’i theu dhëmbët. Aty më kanë futur një thes të zi në kokë, nuk kam pasur mundësi t’i shoh nëse ishin të armatosur. Më futën në një veturë, nuk i njihja asnjërin”, tha ai, duke iu fshehur identiteti.

Dëshmitari tha se u rrahë nga disa persona në një stallë, por se nuk e di sa ishin.

“Kam qenë i varfër, kam shitur dru me një kali, s’kam pasur çare pa folur me serbë, është dashur të punoj. Më kanë kërcënuar që po bashkëpunoj me ta. Më kanë rrahur disa herë, më kanë hedhur ujë, më kanë çuar në stallë, nuk kam ditur asgjë. Nesër kanë ardhur në mëngjes”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, pas një pauze, trupi gjykues dhe të pranishmit janë kthyer në sallë.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020. Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për “krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash”.

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Seanca e paraqitjes së parë të Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nikola Giju. Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>