Naftëtarët e kompanisë së përpunimit të naftës Armo i kanë bërë apel për ndihmë qeverisë për kushtet e vështira të punës dhe për mosmarrjen e rrogave.
Me anë të një letre të hapur, rreth 800 naftëtarë shprehen se pas privatizimit të rafinerisë dhe rifillimit të punës në fund të 2016-ës, kushtet e punës janë përkeqësuar ndjeshëm:
“Naftëtarët punojnë në kushte të vështira pune, pa ujë të pijshëm, pa siguri teknike, pa mjek, pa siguracione. E kërkojmë këtë ndërhyrje të menjëhershme sepse jeta jonë po vihet në rrezik”.
Naftëtarët e Ballshit ngrenë dhe një problem tjetër në letrën e tyre: ata për periudhën e punës korrik 2015-korrik 2016 nuk janë paguar, pavarësisht se rafineria ka punuar me kapacitet të plotë:
“Ne na janë mbajtur padrejtësisht pagat e periudhës korrik 2015-korrik 2016, edhe pse kemi ardhur në punë, sigurimet dhe listë pagesat tona janë të deklaruara pranë Drejtorisë së Tatim Paguesve të Mëdhenj.”
Për këtë shkelje, naftëtarët kanë protestuar në mënyrë të vazhdueshme. Në tetor të vitit 2016, gjatë vizitës së Kryeministrit Rama për rihapjen e rafinerisë, punëtorët morën premtimin se pagat e një viti për 800 naftëtarët do të paguheshin.
Por sot, një vit më pas naftëtarët shkruajnë se “ pagat e prapambetura nuk janë marrë dhe nuk po paguhemi as për pagën e muajit.”
Naftëtarët i bëjnë thirrje qeverisë të ndërhyjë për zgjidhjen e kësaj “situate të ngarkuar ekonomike dhe psikologjike” ose në të kundërt ata do të bllokojnë punën e rafinerisë.