Gratë e Uzinës së Ballshit, të cilat kanë nisur një ditë më parë grevën e urisë, i kanë bërë thirrje kryeministrit Rama dhe ministres Balluku që të gjejnë një zgjidhje për rrogat e prapambetura të tyre.
Me probleme të rënduara shëndetësore për shkak të grevës, naftëtaret shprehen se nuk kanë marrë pagat për punën e tyre dhe se sot, pas më shumë se 20 viteve punë në uzinë, nuk kanë para as të blejnë ilaçe.
“Kemi hyrë 18 vjeçe në uzinë dhe jemi plakur me thinja sot dhe jemi pa bukë. Ka qenë e vështirë nata e mbrëmshme. S’kishim medikamente. Ministrja Balluku duhet të më kuptojë si nënë, ose më mirë si grua,” u shpreh njëra prej grave.
Një ditë më parë, dy punonjëse të rafinerisë së naftës në Ballsh u dërguan në spital, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Ato kanë nisur grevën e urisë për të zëvendësuar naftëtarët që ishin në grevë prej 18 ditësh.
Për të lexuar më shumë për problemet në rafinerinë e Ballshit, klikoni këtu.